Kulturë

Konferencë shkencore në ITKSHSHM

30.09.2014 18:54

Studiues të historisë, kulturologjisë, gjuhësisë, letërsisë dhe fushave të tjera kanë debatuar sot në temën “Sfidat e trashëgimisë kulturore në Maqedoni”...

Debati u organizua në kuadër të konferencës shkencore të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, me rastin e “Ditës botërore të trashëgimisë kulturore”.
 
Konferencën e shpalli të hapur ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë institut, Skender Asani, i cili po ashtu në konferencë foli mbi trashëgiminë kulturore islame në Shkup.
 
“Trashëgimia islame në Shkup, e kam titulluar kështu sepse kam deshifruar projektin 2014, i cili ndodh tash dhe është kulminim nga ajo që ka ndodhur gjatë historisë. P. sh. pas okupimit të Shkupit në vitin 1912, nga forcat serbe ishte vendosur armata e tretë serbe në qytetin e Shkupit, ku ajo në vitin 1913 kërkonte të hartohet një program, një plan-projekt për qytetin e Shkupit, ku do të silleshin kolona të ndryshme”- deklaroi ushtruesi i detyrës së drejtorit në ITKSHSHM, Skender Asani. 
 
Në Maqedoni mund të flitet për një trashëgimi universale, ndërsa shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre që nga antika e deri më sot, thekson sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, duke shtuat se institutit i takon të merret me këtë çështje, ndërsa ai në këtë drejtim do të ketë edhe përkrahjen e kësaj ministrie.                                    
 
“Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk duhet të jetë vetëm një çështje deklarative, por rreth kësaj duhet të angazhohemi të gjithë, pasi Maqedonia ka një trashëgimi kulturore shumë të pasur të civilizimeve të ndryshme. Gjithsesi, këtu shqiptarët kanë dhënë një kontribut të veçantë për ngritjen dhe formësimin e kulturave dhe civilizimeve të ndryshme në Maqedoni”- tha sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.                    
                
Me punimet e tyre u paraqitën edhe studiuesit, Qemal Murati dhe Izaim Murtezani.              
 
"Unë do të flas për gjuhën si një trashëgimi, sepse gjuha është një trashëgimi kryesore, sikurse e çdo popullit edhe e popullit shqiptarë. Duhet të vilet materiali leksikor, frazeologjik dhe të botohen fjalorë dhe vepra të ndryshme për ta ruajtur, sepse edhe gjuha mund të bie, mund të zhduket një dit nëse ne nuk e kultivojmë dhe nuk e ruajmë”- theksoi studiuesi, Qemal Murati.
 
“Unë u prezantova sot me një temë të pagëzuar si “Karnevali i Bozovcës”, i cili është një ritual, i cili viteve të fundit po ekzekutohet në fshatin Bozovcë të malësisë së Sharrit të Tetovës dhe ky karneval është jashtëzakonisht i lashtë, me prapavijë pagane dhe ngërthen në brendi vlera shumë të çmueshme kulturore”- u shpreh studiuesi, Izaim Murtezani.      
                                                   
Në dy sesionet e konferencës u paraqitën gjithsej 19 kumtesa nga studiues të ndryshëm.
 
GYLTENE SINANI