Maqedoni

Epidemiologët: Rritet numri i të prekurve nga Hepatiti A

16.01.2020 14:57

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar është shpallur epidemia e Hepatit A....

Më 26 dhjetor të vitit të kaluar është shpallur epidemia e Hepatit A në lagjen e Gjorçe Petrovit dhe deri më tani numri i të prekurve ka arritur në 78 persona, thonë epidemiologët. Sipas tyre, gjendja momentale është stabile, mirëpo ka raste të reja edhe në komunat e tjera të Qytetit të Shkupit dhe numri mund të rritet, sidomos pas fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, pasi bëhet fjalë për sëmundje infektive virale.
 
“Kemi bërë analizat tona dhe numri ka arritur deri në 78 dhe vetëm në një lagje të Gjorçe Petrovit kemi shpallur epidemi që më 26 dhjetor. Gjendja momentale është e mirë, ne e përcjellim vazhdimisht, kemi rritje të numrit të të sëmurëve me Hepatit A, mirëpo për shkak të shkollave që janë të mbyllura dhe tash nxënësit janë në pushim dimëror, nuk kemi aq numër të rritur dhe tani kemi pak ngecje, por megjithatë kemi raste të reja jo vetëm në komunën e Gjorçe Petrovit, por kemi edhe në komunat tjera të Qytetit të Shkupit.”,- tha epidemiologia, Lulzime Bajrami.
 
Hepatiti A përcillet me anë të duarve të palara, prandaj ndryshe quhet sëmundje edhe e duarve të palara, thonë mjekët. Njëherit ata apelojnë që të vendosen mjete dezinfektuese në të gjitha shkollat e vendit.
 
“Ne kemi bërë vizitat edhe në disa shkolla, ku ka pasur raste që janë paraqitur me Hepatit A dhe kemi gjetur se nuk ka mjete dezinfektuese për larjen e duarve, kjo është masa e parë preventive që duhet të merret. Mund të bëhet parandalimi edhe me anë të vaksinimit kundër Hepatit A.”,- tha epidemiologia, Lulzime Bajrami.
 
Hepatiti A nuk është sëmundje e rëndë, por trajtimi i tij kërkon kohë pak më të gjatë, pasi që sëmundja zgjat 5 deri në 6 javë, thonë mjekët, andaj në raste të simptomave, si: plogështi, temperaturë, kokëdhimbje, vjellje dhe simptome tjetra duhet vizituar mjekun. Pacientët me Hepatit A kanë nevojë të pushojnë, të konsumojnë më shumë lëngje, të konsumojnë ushqim vitaminoz dhe të izolohen në dhomë të veçantë.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI