Maqedoni
Ekspertët: Për uljen e ndotjes së ajrit nevojitet edhe angazhimi i qytetarëve
16.01.2020 15:16
Lufta kundër ndotjes së ajrit kërkon angazhim nga të gjitha palët...

Lufta kundër ndotjes së ajrit kërkon angazhim nga të gjitha palët, u tha në tryezën e rrumbullakët për sfidat dhe problemet me ndotjen e ajrit në vend. Ekspertët theksojnë se për të përmirësuar cilësinë e ajrit nevojitet edhe angazhimi i qytetarëve. Shfrytëzimi i energjisë diellore është një nga mundësitë e mira në këtë drejtim. Këtë qëllim e ka edhe projekti “Energji e pastër, për ajër të pastër”.
“Kjo ngjarje ka për qëllim që të ngrit vetëdijen e qytetarëve të rajonit planor të Shkupit për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe rëndësinë për shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë në sektorin rezidencial, të nxit bashkëpunimin e sektorit civil me vetëqeverisjen lokale dhe institucionet relevante, për t’u gjetur mundësi për zgjidhjen e kësaj problematike.”,- deklaroi koordinatorja e projektit, Tea Teveva.
Kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, thotë se viteve të fundit është bërë përparim në drejtim të luftës kundër ndotjes së ajrit dhe se Inspektorati i komunës i kryen obligimet por i njëjti nuk ka kompetenca t’u ndalojë qytetarët që të ngrohen me dru në shtëpitë e tyre.
“Problemi është që inspektori për mjedisin jetësor nuk mund të hyjë në shtëpi private. Sektori i komunës nuk ka autorizim me ligj për të hyrë në shtëpi për të kontrolluar se a po ngrohen me dru apo jo. Përndryshe, inspektorët në vazhdimësi, kemi edhe dhjetë radarë komunalë, të cilët shpesh sanksionojnë për ndezje të zjarrit në ambient të hapur. Mendoj se aty kemi përparim në zjarret që ndizen në ambient të hapur. Nuk them që më nuk ndizen zjarre në të hapur, por se ka përparim më serioz.”,- tha kryetari i komunës së Karposhit, Stefan Bogoev.
Shkupi dhe disa qytete tjera të vendit shumë herë kanë qenë në listën e qyteteve më të ndotura në botë, por autoritetet thonë që ndotja këtë vit në dimër ka qenë më e ulët se sa viteve të kaluara.
BELINDA KOKA ADEMI
