Maqedoni
MPPS: Pagesat për kategoritë sociale nuk rrezikohen
16.01.2020 15:37
Të gjitha të drejtat nga sfera e mbrojtjes sociale do të vazhdojnë të paguhen rregullisht sipas dinamikës së vendosur...

Të gjitha të drejtat nga sfera e mbrojtjes sociale do të vazhdojnë të paguhen rregullisht sipas dinamikës së vendosur, theksoi zëvendësministrja plotësuese në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijel.
Ajo gjithashtu tha se nuk do të lejojnë që qytetarët të jenë viktima të mosmarrëveshjeve ndërpartiake.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka ministre të re teknike nga opozita dhe zëvendësministre plotësuese. Dëshiroj t’i bindim qytetarët se kjo në njëfarë mënyre nuk do të ndikojë dhe do të reflektojë negativisht ndaj të gjitha proceseve reformuese të cilat tashmë kanë filluar në ministri. Të gjitha të drejtat të cilat janë nga sfera e socialit, mbrojtjes fëmijërore, sigurisë sociale të të moshuarve do të vazhdojnë edhe më tutje të paguhen rregullisht sipas dinamikës tashmë të vendosur të MPPS-së.”,- tha zëvendësministrja plotësuese në MPPS, Sanella Shkrijel.
Nga kjo ministri u bëjnë thirrje punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara të parashtrojnë kërkesa sipas ndryshimeve të fundit të Ligjit për Sigurim Material të Personave të Papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shtetërore të cilat Kuvendi i miratoi.
“Presim që së paku 1.000 punëtorë të falimentuar ta realizojnë këtë të drejtë për kontribut mujor prej 8.000 denarëve deri në pensionim. Kemi përfshirë gjithsej 12.000 punëtorë të falimentuar. Gjithmonë në vend të parë janë qytetarët.”,- u shpreh zëvendësministrja plotësuese në MPPS, Sanella Shkrijel.
Zëvendësministrja Shkrijel njëherit i bëri thirrje ministres, Rashella Mizrahi, për bashkëpunim në interest ë qytetarëve.
REJHANE BUSHI METAJ
