Maqedoni

U nënshkrua marrëveshja, autostrada Shkup-Bllacë nis në pranverë

16.01.2020 16:04

Qeveria ka firmosur marrëveshjen me kompaninë ndërtimore “Granit” për nisjen e punimeve për dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë....

Qeveria ka firmosur marrëveshjen me kompaninë ndërtimore “Granit” për nisjen e punimeve për dy kilometrat e para të autostradës Shkup-Bllacë, e cila do të lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, nëpërmjet autostradës “Arbën Xhaferi”. Faza e parë e ndërtimit të 2 kilometrave nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit do të nis në pranverë të këtij viti. Vlera e ndërtimit të 2 kilometrave do të kap shumën prej 12.2 milionë euro, ndërsa do të financohet nga buxheti i shtetit.
 
“Si operator më i përshtatshëm që do t’i realizojë punimet është zgjedhur kompania “Granit”. Vlera e marrëveshjes është rreth 12.2 milionë euro, ndërsa punët duhet përfundojnë në afat prej 18 muajsh. Ne kilometrat e para të kësaj autostrade do të mund të vozisim në verën e viti 2021. Financimi i këtyre 2 kilometrave është plotësisht nga buxheti i NP “Rrugët shtetërore”.”,- tha drejtori i NP. “Rrugët Shtetërore”, Zoran Kitanov.
 
Me ndërtimin e autostradës Shkupi dhe Prishtina do të jenë dy kryeqytetet më të afërta njëra me tjetrën, ndërsa kjo do të sjellë impakt pozitiv edhe në ekonomitë e dy vendeve, vlerësojnë zyrtarët.
 
“Shpejt do të arrijmë që Prishtinën dhe Shkupin në autostradën e cila do të kalohet për më pak se 45 minuta, fakt që do të bëjë Shkupin dhe Prishtinë dy qytetet më të afërta në rajon, duke krijuar një lidhshmëri të njerëzve dhe mallrave dhe duke krijuar një klimë të re ndërmjet shteteve dhe popujve.”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
 
“Kosova është partneri ynë i rëndësishëm ekonomik. Vitin e kaluar kemi shënuar rritje prej mbi 30 për qind nga gjithë shkëmbimi tregtar, ashtu që ndërtimi i autostradës së re do të japë imput pozitiv në rritjen e raporteve tregtare.”,- theksoi ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
 
10.5 km tjera të autostradës Shkup-Bllacë do të financohen nga Banka evropiane dhe nga Fondi investues për Ballkanin perëndimor, ajo do të kushtojë rreth 110 milionë euro. Autostrada gjithsej do t`i ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometrash, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet do të zgjatin 36 muaj.
 
ZEKIRJA MEXHITI