Maqedoni

Ndërkombëtarët: Partitë t’i tejkalojnë dallimet, Ligji i Prokurorisë, parakusht për bisedimet

16.01.2020 16:56

Kuvendi ka edhe një muaj kohë që të miratojë Ligjin për Prokurorinë Publike....

Kuvendi ka edhe një muaj kohë që të miratojë Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili është në mesin e parakushteve për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve në maj të këtij viti. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i përkujton partitë politike se eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji, dhe diplomatë tjerë evropianë e kanë theksuar nevojën për miratimin e këtij ligji.                                                                                   
“Apeli im mund të jetë i vetëm, partitë të dalin nga barrikadat, të përafrojnë qëndrimet, të reflektojnë për atë që është interes i përgjithshëm, që të mundemi të marrim edhe një prej argumenteve prej institucioneve evropiane për ato pritshmëri që të gjithë ne i paraqesim para qytetarëve, pasi të gjithë shpresojmë se marsi apo maji është dita D, në fakt gjithë e bëjmë të kundërtën prej asaj që janë pritshmëritë.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
                                                                       
Për konsensus politik rreth Ligjit të Prokurorisë apelon edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, sipas të cilit kjo do t’i rriste shansеt për fillimin e bisedimeve me BE-në.
 
“Është mundësi e mirë që të përfshihen të gjitha partitë politike në votimin e këtij ligji dhe me këtë të hapim dyert e fillimit të bisedimeve dhe shfrytëzoj këtë rast të apeloj edhe deri te opozita që të shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të mundësojmë fillimin e lehtë të bisedimeve gjatë pranverës.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.                                                                             
Por, Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE përsërit qëndrimin e tij se teksti i propozim-ligjit të dërgohet fillimisht në Komisionin e Venecias.
 
“Është mirë që propozim-ligji i harmonizuar mes LSDM-së dhe BDI-së të dërgohet për mendim te Komisioni i Venecias, si trup më profesional juridik në Evropë dhe të merret mendim lidhur me atë propozim që do ta pranonim bashkërisht, pa kontestuar se cila parti ka më shumë të drejtë, por kjo kërkesë e jona ishte refuzuar nga ministrja Deskoska, shpresojmë se kësaj radhe do të jetë më konstruktive.”,- u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, pushteti thotë se opozita nuk është e gatshme për kompromis. 
 
“Nuk ka gatishmëri te partia kryesore opozitare që me të vërtetë të miratojmë ligj për prokurorinë publike, sepse vlerësojnë se në atë mënyrë do ta menaxhojnë atë që po ndodh me lëndët e Prokurorisë Speciale.”,- u tha nga LSDM.
 
Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë thonë se propozim ligji është lëshuar në procedurë parlamentare dhe mbetet deputetët ta miratojnë të njëjtin.
 
“Porosia e komisionerit evropian është e qartë dhe ne presin dhe duam që deputetët të gjejnë forcë dhe të votojnë të motivuar nga ardhmëria evropiane e shtetit dhe jo nga interesat personale të atyre që duan të ikin nga drejtësia. Kjo çështje është test për patriotizmin”,- thonë nga Ministria e Drejtësisë.
 
Me Ligji për Prokurorinë Publike duhet të zgjidhet edhe statusi i Prokurorisë Speciale Publike, e cila, pas arrestimit të prokurores, Katica Janeva, nuk funksionon, ndërsa lëndët janë transferuar në Prokurorinë Publike. Për miratimin e ligjit nevojiten 80 vota.
 
SANIJE DURAKU