Maqedoni
Bilalli: Varhelji tentoi të përmirësojë gabimin
16.01.2020 17:56
Analisti politik, Mersel Bilalli, konsideron se vizita e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelji....

Analisti politik, Mersel Bilalli, konsideron se vizita e komisionerit për zgjerim, Oliver Varhelji, në plan të parë, jep mesazhin se vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten interes strategjik i BE-së, pavarësisht epilogut të samitit të tetorit, kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën datën e pritur për fillimin e negociatave. “Ishte një mesazh për vendet kandidate dhe alarm për organet e Unionit se diçka duhet vepruar në këtë drejtim.”- thekson Bilalli.
“Ardhja e komisarit për zgjerim është tentim për të përmirësuar gjithë ai gabim që ndodhi me veprën e Makronit për startimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë dhe natyrisht lihet rajoni në një situatë të deprimimit që të mund të bëhet lehtë i preve të ndryshme lindore. Pra një alarmim i tillë sikur mobilizon organet e Unionin Evropian dhe faktorët e tjerë komponent të Unionit që diçka duhet bërë urgjentisht.”,- tha analisti politik, Mersel Bilalli.
Bilalli: Ligji për PTHP, avantazh jo detyrim
Thirrja për të miratuar Ligjin për Prokurori Publike sipas Bilallit, nuk është imperativ për marrjen e datës për fillim të negociatave gjatë pranverës, gjithsesi do të rriste gjasat për një gjë të tillë.
“Miratimi i Ligjit për Prokurori Publike, i cili nuk është ndonjë imperativ i veçantë por do të ishte mirë që të përforcojë pozicionet e mundshme dhe të mund të kishim realisht vendim për start të bisedimeve në pranverë, siç thuhet, por duhet pasur parasysh se pranverë llogaritet edhe muaji mars kur kemi një samit dhe eventualisht muaji qershor.”,- theksoi analisti politik, Mersel Bilalli.
Mini-raporti i cili pritet të prezantohet në shkurt, metodologjia e re e bisedimeve, moseksploatimi i çështjes së Marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë për çështje parazgjedhore, kanë qenë çështje që janë diskutur në këto takime, thotë Bilalli.
Një, ditë më parë, komisioneri Varhelji ftoi Qeverinë dhe institucionet e tjera që të zbatojnë reformat dhe gjithsesi prioritet t’i jepet ligjit të ri për Prokurori Publike, që miratimi të ndodh nga përbërja e tanishme parlamentare.
SHPËTIM NUREDINI
