Maqedoni

Varhelji: Para Samitit të Zagrebit, negociatat me Shqipërinë e RMV-në

16.01.2020 18:21

Pavarësisht problemeve me krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, eurokomisioneri, Oliver Varheji....

Pavarësisht problemeve me krimin dhe korrupsionin në Shqipëri, eurokomisioneri, Oliver Varheji, ka pritshmëri pozitive për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin, Edi Rama në Tiranë, Varheji tha se po punohet fort me Francën dhe Holandën që shqiptarët këtë vit të marrin vendimin pozitiv.
 
“Ne e konsiderojmë Shqipërinë si një shtet që është gati të hapë negociatat me BE-në dhe ne do të punojmë fort që kjo të ndodhë para Samitit të Zagrebit. Fakti që nuk u hapën negociatat në tetor ka pasur të bëjë me shqetësimet e disa shteteve anëtare dhe duhet t’i shikojmë me vëmendje. Po punojmë që të gjejmë një zgjidhje, në mënyrë që të ecim përpara me procesin e zgjerimit. Të krijojmë një qasje të re që bazohet në katër parime bazë”,- tha Varheji.
 
Komisioneri për zgjerim përshëndeti paktin për reformën zgjedhore, por vijon të ketë të njëjtat shqetësime në raport me ecurinë e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave.
 
“Mirëpres përparimin që është bërë në reformën në drejtësi. Mirëpres marrëveshjen e djeshme për reformën zgjedhore. Të gjitha këto janë lajme të mira, por kemi ende sfida përpara. Duhet të bëjmë shumë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin.”,- theksoi Varheji.
 
Ndërkohë, kryeministri Rama renditi përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke kërkuar që të merren parasysh në vendimin për çeljen e negociatave. Pas kryeministrit, komisioneri për zgjerim zhvilloi një takim dhe me presidentin Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Vizita e Varhejit në Tiranë erdhi një ditë pas vizitës në Maqedoninë e Veriut, ku takoi zyrtarë të lartë të vendit.
 
LULJETA NDOKA