Maqedoni

Ligji për Prokurori Publike, LSDM: Ka gjasa të arrihet, presim qëndrimin e VMRO–së

17.01.2020 16:36

Partitë politike javën e ardhshme i rikthehen bisedimeve për të tejkaluar dallimet për Ligjin për Prokurori Publike...

Nga LSDM thonë se ka gjasa të arrihet marrëveshje dhe se presim qëndrim zyrtar nga VMRO-DPMNE. Nuk zbulojnë detajet e tekstit të ligjit për, siç thotë deputetja Vançeva, për të ruajtur imazhin e procesit të  negociatave dhe konsensusit.
 
“Shpresoj sinqerisht se ky propozim ligj i parashtruar do të pranohet që të ulemi  dhe sipas rregullores në diskutim konstruktiv të sjellim vendim. Në thelb ndryshime nuk ka, por nuk do të shkoj në detaje, sepse nuk mundemi ta prishim procesin e bisedimeve dhe arritjes së konsensusit. Së shpejti do të shohim nëse ka hapësirë që  ky ligj të hyjë në fazë finale.”,- u shpreh Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM.
 
VMRO: Javën e ardhshme do të dalim me qëndrim
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se propozim ligjin do ta shqyrtojnë ditëve në vijim. Sipas deputetit Milloshovski, përsëri bëhet përpjekje që ekipi i PSP-së të jetë përfitues në shtëpinë e prokurores Ruskovska. Ligji për Prokurori Publike nuk guxon të lë hapësirë për kompensime shtesë marramendëse për prokurorë të caktuar, thotë Milloshovski. 
 
“Nuk mundet asnjë prokuror të marrë kompensim mbi 35% nga paga bazë,  pa marrë parasysh se ku ka qenë i angazhuar. Kemi parë se të gjithë prokurorët që kanë punuar në PSP kanë marrë shuma astronome deri në 100 mijë euro dhe për këtë shkelje ligjore së paku duhet procedurë disiplinore dhe vlerësojmë se këta persona nuk duhet të shpërblehen me privilegj në raport me kolegët e tyre.”,- tha Antonio Milloshovski nga VMRO–DPMNE.
 
Propozim ligji për Prokurori Publike është i katërti me radhë i cili do të hyjë në procedurë parlamentare për diskutim.
 
Ligji për Prokurori Publike është një ndër kushtet kryesore të BE-së që dukshëm ndikon në dhënien e datës për bisedime, dhe sipas afateve, duhet më së voni më 20 shkurt të arrihet marrëveshje nga partitë politike për Ligjin për Prokurori Publike.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU