Maqedoni
Ekonomia - LSDM lavdërohet, VMRO–DPMNE kritikon
17.01.2020 17:00
Ekonomia, në fokus kryesor të partive politike në periudhën parazgjedhore....

Nga LSDM lavdërohen se prej ardhjes së tyre në pushtet është stabilizuar borxhi dhe paratë janë kthyer te qytetarët përmes rritjes së pagave dhe pensioneve. Kreu i LSDM-së, Zaev, tha se qeveria e udhëhequr nga ai është angazhuar për rritje dhe zhvillim ekonomik, kurse rezultatet, sipas tij, janë evidente.
“Në vitin 2017, kur erdha në pozitën e kryeministrit, kishim rritje negative prej -1.8%. Tremujori i tretë i vitit 2019 ishte rrumbullakuar me rritje prej 3.6%, që do të thotë se edhe në tremujorin e parë dhe të dytë kemi pasur rritje prej 3.6%. Presim të dhënat për tremujorin e fundit të vitit 2019, por në mënyrë të përgjithshme viti 2019 do të kalojë me rritje prej 3.6% dhe kjo është mirë. Kjo do të thotë se 5.4% është rritur ekonomia prej atëherë deri më tani, por sigurisht se nuk është e mjaftueshme.”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Por, nga VMRO-DPMNE kanë kritika lidhur me politikat ekonomike të LSDM-së. Sipas VMRO-së, Zaev me bashkëpunëtorët e tij ka punuar vetëm për përfitime personale, ndërsa tani përmes premtimeve gënjen dhe mashtron qytetarët. Një ndër manipulimet parazgjedhore, sipas deputetit, Ilija Dimovski, është Ligji për Investime Strategjike, përmes të cilit, sipas tij, do të jepen beneficione kompanive të afërta me LSDM-në.
“Me këtë ligj lihet hapësirë për keqpërdorime potenciale, krim dhe korrupsion, duke u dhënë beneficione dhe status të privilegjuar për kompani paraprakisht të zgjedhura. Zbatimi i këtij ligji, për fat të keq, nuk do t'i nënshtrohet asnjë kontrolli prej eksperti ose kontroll tjetër të jashtëm.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Ligji për Investime Strategjike është miratuar në Kuvend. Sipas shumicës parlamentare, ky ligj garanton një sërë investimesh në vend.
ERSAN PAJAZITI
