Maqedoni
Ligji për Drogë, përplasen pushteti dhe opozita
17.01.2020 17:22
Përplasje të ashpra rreth Ligjit për Drogë u zhvilluan mes pushtetit dhe opozitës në Qendrën....

Përplasje të ashpra rreth Ligjit për Drogë u zhvilluan mes pushtetit dhe opozitës në Qendrën e konferencave për shtyp edhe pse një debat i tillë ishte paraparë të zhvillohet nga Komisioni i Kuvendit për Shëndetësi në sallën e Kuvendi, por zënkat partiake u zhvendosën që aty. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, tha se ligji është i rrezikshëm dhe kanabisin e destinuar për eksport do ta kemi rrugëve.
“Mos kemi situata të tilla në Maqedoni, ku shteti gradualisht do të shndërrohet në Kolumbi të Ballkanit dhe një gjë e tillë veç më ka filluar. Vendin duhet ta mbajmë sa më larg nga klanet dhe kartelat e drogës. E ardhmja e fëmijëve tanë dhe të rriturve është në duart e disa njerëzve të cilët e qojnë në shkatërrim.”,- deklaroi Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Ndërsa deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpanska, e rikujtoi Gjorçievin se Ligji për Drogë dhe Substanca Narkotike ka qëllime mjekësore, e e ka miratuar VMRO-DPMNE-ja në vitin 2016. Në këtë propozim-ligj, pohon ajo, vetëm përcaktohen disa kushte për prodhimtarinë dhe lëshimin në qarkullim për qëllime mjekësore.
“Ne themi që të diskutohet mbi Ligjin për Drogë dhe Substanca Psikotrope që të përdoren për qëllime mjekësore. Kjo do të jetë harmonizim me ligjet evropiane, një pjesë e madhe e qytetarëve punojnë në këtë biznes për para serioze. Ne vetëm duam të hapet debat për këtë propozim-ligj, për çka parashihet 20% e fitimit neto të hyjë në buxhetin e Maqedonisë së Veriut.”,- u shpreh Jagoda Shahpanska nga LSDM.
Nga ana tjetër, prodhuesit e lules së kanabisit për qëllime mjekësore bëjnë presion për miratim sa më të shpejtë të ligjit para zgjedhjeve. Humbjet e deritanishme për shkak të pamundësisë së eksportit ata i vlerësojnë në 50 milionë euro.
FARIJE DAUTI BAKIJU
