Maqedoni

Ahmeti kërkon mbikqyrje të FBI-së për “monstrën”

01.10.2014 14:56

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkon nga Agjencia Amerikane “FBI” të mbikëqyrë procesin gjyqësor “Monstra”...

Në një intervistë për gazetën “Utrinski Vesnik”, Ahmeti pohon se vetëm mbikëqyrja ndërkombëtare do të rriste kredibilitetin e të gjithë procesit.
 
“Edhe pse kjo çështje i takon fushës së gjyqësorit dhe së drejtës, prek drejtpërsëdrejti marrëdhëniet ndëretnike. Për ne ato janë shumë të rëndësishme. Vlerësojmë se mbikëqyrja ndërkombëtare do të rrisë kredibilitetin e këtij procesi, i cili në thelb është shumë i ndërlikuar. Në këtë kontekst, ne kërkuam që procesin ta monitorojë FBI”- deklaroi Ahmeti, duke shtuar se edhe kryeministri Gruevski ka qenë dakord që procesi gjyqësor të jetë më transparent. 
 
Për sa i përket ngecjeve në  rrugën euroatlantike të vendit, lideri i integristëve vlerëson se për shtetin kanë rëndësi proceset e integrimit dhe kontesti i emrit, për të cilat Ahmeti pranon se vërehen ngecje, por kjo jo për shkak të Maqedonisë, por për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. 
 
“Vendimi ynë që t’u jepet përparësi në 6 muajt e parë proceseve integruese do të thoshte të shtyjmë çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, si çështje që ne do ta hapnim pas 6 muajsh. Atëherë nuk ishim të vetëdijshëm për situatën në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, por ishim në rrethana normale, të angazhuar për zgjidhjen e problemit me Greqinë”- tha Ahmeti. 
 
Ai ka folur edhe për njoftimet për mundësinë e shpalljeve të reja të parakohshme. Sipas tij, partnerët e koalicionit nuk planifikojnë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, pasi  ato nuk përbëjnë prioritet për shtetin.
 
“Përse vendi do të shkonte sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme? Asnjë rrethanë nuk është në favor, qoftë nëse bëhet fjalë për disa projekte dhe procese që janë në vijim dhe që opinioni do të mund t’i shihte, qoftë në plan ekonomik dhe për disa vendime politike që afrojnë rajonin. Realisht, nuk kemi nevojë të shkojmë në zgjedhje me një opozitë shumë të dobët edhe pse e them pa ngurrim, ne do të kishim një rezultat ende më të mirë se në zgjedhjet e fundit”- u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në intervistën për gazetën “Utrinski Vesnik”.
 
Duke komentuar 100 ditshin e parë të qeverisë, Ahmeti tha se çdo gjë që është bërë ka qenë shumë transparente.
 
LEUNORA KALIQI