Maqedoni

Kuvend, u miratua Ligji për Nëpunësit Administrativë

17.01.2020 17:51

Pushteti dhe opozita unanimisht dhe pa kundërshtime miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Nëpunës...

Pushteti dhe opozita unanimisht dhe pa kundërshtime miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Nëpunës administrativë, i cili ndodhej në procedurë parlamentare. Me zgjidhjen e re ligjore të gjithë nëpunësve administrativë do t’u njihet shkalla e arsimimit që kanë diplomuar pas punësimit të tyre. Rrjedhimisht ata do të marrin edhe rrogat sipas shkallës së arsimimit.
 
“Me këto ndryshime të cilat arritëm që t’i harmonizojmë edhe në Komisionin për Sistem Politik, bashkërisht me shumicën parlamentare dhe opozitën do të mundësojmë njohjen e diplomave të arsimimit të lartë të të gjithë atyre të punësuarve në administratën e shtetit si dhe në sektorin publik dhe marrjen e rrogave në përputhje me nivelin e arsimimit.”,- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
 
“Me këto ndryshime të cilat me intervenimin e të gjithë deputetëve i miratuam në komision, konsiderojmë se propozim ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Nëpunës Administrativë do të jenë të zbatueshme dhe jo siç ishte paraprakisht e që ne si opozitë me të drejtë kishim deponuar një numër të madh të amendamenteve.”,- u shpreh Magdalena Manaskova nga VMRO-DPMNE.
 
“Ky ligj është i mirë për administratën dhe se të gjithë ata që kanë realizuar një shkallë të caktuar në arsimim mund të avancohen në karrierë në një afat të caktuar kohor dhe se kjo do të ndikojë në të ardhurat e tyre dhe se kjo është zgjidhja e drejtë.”,- theksoi Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
“Është simptomatike që ky ligj i premtuar nga viti 2016 propozohet tani në zgjedhjet e vitit 2020 dhe kjo po tregon indulencën dhe mosaftësinë që ky ligj i premtuar para tre vitesh, katër do të bëhen para zgjedhjeve, që të arrijë të miratohet në parlament për tre vite. Arritjet nuk duhet t’i përshkruhen vetëm një partie politike, por kjo është arritje e përbashkët e të gjithë ne.”,- tha Arta Toçi nga ASh.
 
Deputetët në Kuvend gjithashtu njëzëri miratuan edhe ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të Punësuarit në Sektorin Publik.
 
NAIM RAMADANI