Maqedoni

KSHPK ia dorëzoi Kuvendit Strategjinë e re

17.01.2020 18:03

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit miratoi Strategjinë Nacionale...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit miratoi Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit dhe ia dorëzoi Kuvendit republikan për miratimin. Për luftë të suksesshme kundër korrupsionit duhet përkrahje politike në vepër, bashkëpunim ndërinstitucional dhe përfshirjen e gjithë shoqërisë, konsideron Komisioni. Kryetarja, Biljana Ivanovska, pret që dokumenti të miratohet nga kjo përbërje parlamentare. 
 
“Presim, bile nga ajo që kemi parë deri më tani gjatë përgatitje së strategjisë, ku ishin të kyçur shumë institucione, OJQ, ekspertë, ndjejmë një impuls në shoqëri, se ka gatishmëri te të gjithë aktorët e jetës sonë shoqërore që kjo të ndodh.”,- deklaroi kryetarja e KShPK-s;, Biljana Ivanovska.
 
Strategjia parasheh edhe të ashtuquajturën “pastrim të gjyqësisë". Ivanovska tha se Komisioni po harton plan vjetor dhe metodologji për zgjedhjen e modelit se cilët gjykatës do të përfshihen në atë plan, pasi në nivel republike janë mbi 700 gjykatës dhe kontrolli nuk mund të ndodh njëkohësisht. Gjithsesi, Komisioni fton rritjen e kapaciteteve të tij dhe angazhimin e të gjitha institucioneve që këtë dukuri ta luftojnë nga brenda. 
 
“Ajo që parashohim në Strategji është se si të përmirësohet sektori i drejtësisë në mënyrë strategjike. Janë hapa që ata duhet t’i ndërmarrin. Ne jemi koordinatorë të gjithë procesit, por çdo proces do të zhvillohet në institucionet amë. Ata duhet të ndërmarrin masat e duhura.”,- tha kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.
 
Hartimi dhe miratimi i Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktin e Interesit pritet të ketë efekt edhe në procesin eurointegrues. Në pritje të vendimit për fillimin e negociatave me BE-në, miratimi i Strategjisë do të dëshmojë se vendi ka vullnet politik dhe gatishmëri që të luftojë korrupsionin. 
 
SHPËTIM NUREDINI