Botë

Kosovë: Vlan kundër gjithëpërfshirjes

01.10.2014 15:06

Blloku i katër partive opozitare në Kosovë, shprehet i vendosur që të marrë postin e kryeparlamentarit dhe më pas edhe drejtimin e institucioneve tjera...

Ata nuk e shohin të nevojshme formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, pasi kanë siguruar shumicën e nevojshme.
 
Madje, kreu AAK-së, i cili pretendon të marrë edhe postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, thotë se blloku në seancën e nesërme do të jetësojë marrëveshjen dhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, do të zgjidhet kryetar i kuvendit.
 
“Plan në Kosovë ka vetëm shumica parlamentare, askush tjetër. As nuk ka zarfe, as nuk ka plane, as nuk ka ide tjera, por ka shumicë parlamentare të zgjedhur nga qytetarët e vendit”- deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
 
Ndërkohë edhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka ftuar PDK-në të heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, duke vlerësuar se ky post i takon bllokut.
 
“Ata i kanë 30 për qind të votave, të tjerët i kemi 70 për qind”- tha Ismet Beqiri nga LDK.
 
Deputeti Beqiri, ka kundërshtuar deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, i cili ka deklaruar se vetëm grupit më të madh parlamentar, në këtë rast PDK-së, i takon e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit, ndërsa blloku pastaj mund ta formojë qeverinë.
 
Përpjekje për të tejkaluar ngërçin politik të paszgjedhjeve në Kosovë ka bërë edhe presidentja, Atifet Jahjaga, e cila ka realizuar disa takime me liderët e partive politike.
 
Një takim liderësh për të diskutuar lidhur me seancën e nesërme të kuvendit,  Jahjaga e ka thirrur edhe për sot edhe pse duket se dy taborët janë betonuar në pozicionet e tyre.
 
Madje, si opsion të fundit PDK nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja.