ASH: Kritika MASH-it dhe Komunës së Tetovës, shkolla në Reçicën e Vogël nuk po ndërtohet

18.01.2020 16:57

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet forumit rinor ka kritikuar Ministrinë e Arsimit....

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet forumit rinor ka kritikuar Ministrinë e Arsimit dhe pushtetin lokal në Tetovë për mos realizimin e premtimit për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël.

Duke ironizuar me premtimet e komunës se shkolla do të ndërtohet me donacion kinez, ata në vendin ku duhet të ndërtohet shkolla prezantuan një maketë shkollë, që inaugurohej nga një kinez.

“Gjendemi këtu para shkollës fillore të lagjes Reçicë e Vogël, e cila, siç u premtua në vitin 2013 u ndërtua nga donatori kinez, e që është i pranishëm sot me ne në inaugurimin e kësaj shkolle. Mirëpo, ashtu siç shihet, fatkeqësisht, donatori kinez, si shumë mallra kineze doli se na paska qenë fals, njësoj si premtimet e Teuta Arifi që nga viti 2013. Fatkeqësia më e madhe është se, më 14 janar të këtij viti u publikua edhe vendimi për ndërtimin e kësaj shkolle nga ministri i kompetencave Arbër Ademi, i cili, edhe kësaj here, përpiqet të tallet me nevojat dhe ndjenjat e banorëve të Reçicës së Vogël” – tha Donika Bakiu nga Forumi Rinor i ASH-së.

Ademi: Së shpejti nisin punimet në Reçicë dhe Bllacë

Misnitri Ademi në kundërpërgjigjen e tij me shkrim thekson se ata të cilët nuk kanë kapacitete, vizion dhe ide, sigurisht se nuk iu mbetet gjë tjetër përveç se të kritikojnë kur bëhen punë të mira.

“Ne mbetemi të fokusuar në realizimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, maksimalisht të angazhuar për përmirësimin e standardeve të jetesës. Jo vetëm kjo shkollë, por edhe ajo e Bllacës, së shpejti do të nisin të ndërtohen”, tha Ademi.

Ndërsa nga komuna e Tetovës nuk i kanë komentuar kritikat e ASH-së. (Sedat Selimi, TVM2)