Maqedoni

Pastrohet deponia e egër në Rashçe

01.10.2014 15:14

Komuna e Sarajit dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekologjisë kanë vazhduar aksionin për pastrimin e deponisë së egër në fshatin Rashçe...

Komuna e Sarajit dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekologjisë kanë vazhduar aksionin  për pastrimin e deponisë së egër në fshatin Rashçe, ku mbeturinat e krijuara me vite rrezikojnë seriozisht shëndetin e banorëve dhe ambientin jetësor.
 
Por, Komuna e Sarajit premton se nuk do të mbetet vetëm me këtë aksion për pastrimin e deponisë, por ambienti do të ruhet në vazhdimësi dhe nuk do të lejohet në të ardhmen që të vijë deri te një gjendje e tillë. Kryetari i Sarajit, Bekim Murati, paralajmëron edhe sanksione për ata që hedhin mbeturina në vendet e  palejuara.
 
“Jemi duke pastruar disa deponi, kemi pastruar një deponi në vendbanimin Bojanë. Së shpejti do të fillojmë aksionin për pastrimin e deponisë në vendbanimin Saraj, respektivisht përreth rrugës magjistrale Shkup-Tetovë. Të gjitha këto vende që do të pastrohen do të rrethohen dhe do të vendosen tabele, ku do të saktësohet se ndalohet hedhja e mbeturinave”- deklaroi kryetari i Sarajit, Bekim Murati.
 
Nga Ministria e Ekologjisë thonë se vendosja e sistemit të grumbullimit të mbeturinave dhe kontejnerëve në këtë komunë është një proces mjaft i rëndësishëm për banorët e saj. 
 
“Këtë që e bëjmë si hap nuk do të thotë se nëse ndonjë deponi e egër pastrohet do të vijë deri te rikultivimi natyrorë, por më me rëndësi është kyçja në sistemin e grumbullimit dhe bartjes së mbeturinave nga vendbanimet. Në këtë mënyrë edhe kjo deponi për disa muaj nuk do të ekzistojë dhe hapësira do të gjelbërohet”- tha zëvendësministri i Ekologjisë, Stevo Temellkovski.
 
Komuna e Sarajit po ndërmerr hapa edhe për sigurimin e kamionëve për grumbullimin e mbeturinave për ndërmarrjen komunale, ndërsa tanimë ka siguruar edhe kontejnerë. Vetëm në vendbanimin Rashçe do të shpërndahen 30 deri në 40 kontejnerë.
 
GYLTENE SINANI