Angellovska, TVSH-ja po u kthehet kompanive

18.01.2020 17:10

Vitin e kaluar kompanive nga TVSH-ja u janë kthyer 402 milion euro....

Vitin e kaluar kompanive nga TVSH-ja u janë kthyer 402 milion euro ose 7.5 përqind më shumë sesa në vitin 2018, dhe 44 përqind më shumë sesa në vitin 2016, bëri të ditur Ministrja e Financave Nina Angellovska. Kthimi i TVSH-së vazhdon edhe këtë vit, tha Angellovska.

“Në 16 ditët e para të janarit, kthimi i TVSH-së për kompanitë arriti në 926 milion denarë ose 15 milion euro. Kjo vazhdon dinamikën e mirë të vitit të kaluar në të cilën kompanitë në bazë të TVSH-së u janë kthyer 401.9 milion euro. Kjo është 7.46 përqind më shumë se në vitin 2018, 28.18 përqind më shumë se 2017, 44.19 përqind më shumë se 2016, dhe 42.46 përqind më shumë se viti 2015. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për kompanitë, sepse kjo është mënyra për të ruajtur likuiditetin e nevojshëm për punën në vazhdim, si dhe planifikimin e veprimtarisë investuese” – tha Ministrja e Financave, Nina Angellovska.

Ajo theksoi se kthimi i TVSH-së për qytetarët nga masa “TVSH-ja Ime” do të bëhet muajin e ardhëshëm, për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

Dimitrijeska-Koçoska, pse u është dashur kompanitë të presin

Por, zëvendësministrja shtesë e financave, në qeverinë teknike thotë se Angelovska po manipulon me ato përqindje.

Sipas saj, rimbursimi i TVSH-së, duhej të ishte bërë muajin e kaluar.                        

“Pse u është dashur kompanitë të presin më gjatë, për të marrë rimbursimin e tyre të TVSH-së, edhe pse ne e dimë se të gjithë luftojnë me problemin e likuiditetit? Lidhur me komentin e saj, që buxheti është në gjendje të mirë, unë shtroj pyetjen – pse patëm nevojë të huamarrje në dhjetor dhe janar?” – deklaroi   Gordana Dimitrijeska-Koçoska, Zëvendës Ministre shtesë e Financave.

Zëvendësminsitreja Dimitrieska-Koçoska njëherit u ankua se nuk ka bashkëpunim me ministren Angelovska, por kjo e fundit e pretendon të kundërtën. (Sedat Selimi, TVM2)