Maqedoni

Prej sot paga më të larta për administratën

01.10.2014 15:18

Muaji tetor do t’i gjejë të gjithë punonjësit në Administratën Publike dhe Shtetërore me paga më të larta. Shërbyesit civil pagën për muajin tetor do ta kenë për 4% qind më të lartë nga kuota bazë e tyre...

Është ky vendimi i qeverisë, i paralajmëruar kohë më parë në programin e saj për 2014-2018.
 
“Qeveria ka parashikuar fonde në buxhet për rritjen e pagave prej katër për qind për administratën, duke filluar nga tetori, si dhe të pensioneve dhe ndihmës sociale për pesë për qind prej vitit të ardhshëm”- njoftoi vetë kryeministri, Nikolla Gruevski, për punën e bërë në 100 ditët e para të qeverisjes.
 
Sipas përllogaritjeve, një rrogë mesatare prej 15 mijë denarësh do të ngritet në 15.600 denarë. Kuota bazë e një rroge prej 21 mijë denarësh do të jetë në 21.840 denarë, ndërsa rroga prej 24 mijë denarësh me ngritje prej 4%, nga tetori do të jetë 24.960 denarë. 
 
Ndërkohë, pensionistëve qeveria ka parashikuar t’u ngritë pensionet nga viti i ardhshëm, për të cilët rritja do të shkojë në 5%.
 
Sipas përllogaritjeve, një pension prej 9 mijë denarësh do të ngritet në 9.450 denarë. Kuota bazë e një pensioni prej 11 mijë denarësh do të jetë në 11.550 denarë, ndërsa rroga prej 13 mijë denarësh me ngritje prej 4%, nga tetori do të jetë 13.650 denarë. 
 
NAIM RAMADANI