Berlin, samit kushtuar konfliktit në Libi

19.01.2020 12:27

Përfaqësuesit e mbi dhjetë vendeve, përfshirë Turqinë....

Përfaqësuesit e mbi dhjetë vendeve, përfshirë Turqinë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë mblidhen sot në Berlin, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit në Libi dhe për të parandaluar, atë që shumë besojnë se mund të jetë një valë e re e refugjatëve.

Kina, Britania, Italia, Franca, Egjipti, Algjeria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, po ashtu pritet të dërgojë përfaqësuesit e tyre në këtë samit, nikoqir i së cilit është kancelarja gjermane Angela Merkel. Po ashtu, liderët e dy fraksioneve kryesore libiane pritet të marrin pjesë.

Në këtë takim SHBA-në e përfaqëson Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Një zyrtar që po udhëton me sekretarin Pompeo u tha gazetarëve se konflikti në Libi është duke u bërë si ai në Siri, ku lufta civile ka lënë të vdekur qindra mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur, derisa shumica prej tyre janë nisur drejt Evropës, duke krijuar krizë emigrantësh.

Në këtë takim, Gjermania dhe Kombet e Bashkuara do të kërkojnë nga kampet rivale në Libi – që po luftojnë për kontrollin e kryeqytetit Tripoli – që të pajtohen për armëpushim dhe për një mekanizëm të monitorimit, që do të përbënte hapat e parë drejtë paqes.

Libia ka dy qeveri, një e mbështetur nga Kombet e Bashkuara që ka selinë në Tripoli dhe administrata tjetër që udhëhiqet nga komandanti Khalifa Haftar, që udhëheq Ushtrinë Kombëtare Libiane, e që ka selinë në Tobruk.