Botë
Shpërthim në Kabul, 7 të vdekur
01.10.2014 15:23
Dy kamikazë sulmuan Kabulin, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe plagosur më shumë se 15 të tjerë...

Vrasjet vijnë një ditë pasi qeveria e re e Afganistanit nënshkroi një marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila lejon që trupat e huaj të qëndrojnë në vend edhe përtej 2014.
"Një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivët e tij në një motoçikletë pranë autobusit. Ky shpërthim shkaktoi shumë të plagosur dhe të vdekur të pjesëtarëve të ushtrisë, por unë nuk e di numrin e saktë. Ne vetëm kemi arritur të marrim viktimat e plagosur dhe t’i dërgojmë në spital"- deklaroi dëshmitari okular, Mohammad Bashi.
Sulmi më i rëndë ishte ai i ndodhur në perëndim të Kabulit, në afërsi të universitetit të kryeqytetit. Si pasojë e shpërthimit të bombës, autobusi i ushtrisë u shkatërrua krejtësisht dhe gjithashtu dritaret e dyqaneve dhe makinave përreth. Të shtatë viktimat u shënuan në sulmin e parë, kurse sulmi i dytë la të plagosur disa persona. Një dëshmitar okular tregon momentin e shpërthimit.
“Unë po kaloja rrugën në momentin kur ndodhi një shpërthim i madh. Menjëherë pas shpërthimit pashë pluhur, tym dhe një skenë të frikshme, ika menjëherë që aty”- tha dëshmitari okular, Sanaullah Khan.
Përgjegjësit e sulmit u deklaruan se veprimet e tilla japin sinjalin e njohur që janë kundër trupave të huaj në vendin e tyre. Forcat e NATO-s do të largoheshin me 31 dhjetor të këtij viti, por marrëveshja e nënshkruar dje ka shtyrë qëndrimin e tyre.
FARIJE DAUTI-BAKIU
