Maqedoni
Kanceri i gjirit, sëmundja vdekjeprurëse që nuk merret seriozisht
01.10.2014 15:26
Skriningu mamografik zbulon në stadin më të hershëm kancerin e gjirit...

Por, ai nuk aplikohet në Maqedoni edhe pse në vendin tonë çdo vit detektohen rreth 700 raste të reja të kancerit në gji. Mjekët ankohen se kjo problematikë nuk kuptohet me seriozitet. Kanceri i gjirit paraqitet edhe në moshë të re, andaj diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetën e pacientit.
“Me fillim nga mosha 20 vjeçare mund të detektohet kanceri i gjirit. Prandaj, asociacioni amerikan për luftë kundër kancerit ka dhënë tre rekomandime, të zbatohet vetë kontrolli te secila grua pas moshës 20 vjeçare, mosha 20 deri më 39 vjeçare të kontrollohen një herë në tre vjet dhe pas viteve të dyzeta të gjitha gratë të bëjnë skrining”- deklaroi kirurgu, Goran Kondov.
“Nëse kanceri i gjirit zbulohet në fazë të hershme, ai mund të trajtohet dhe të sigurohet jetë cilësore. Unë jam operuar nga kanceri para 31 viteve dhe nuk kam më recidiv, andaj inkurajoj të gjitha gratë që të bëjnë vetëkontroll dhe të detektojnë kancerin në fazë sa më të hershme”- tha kryetarja e Shoqatës “Zhivotna Iskra”, Violeta Tomovska.
“I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të fillojë me zbatimin e skrinigut të organizuar, me ç’rast femrave do t’u dërgohet ftesë e obligueshme për ta bërë këtë kontroll, një gjë e tillë veç më aplikohet në Slloveni dhe Kroaci dhe kjo praktikë është treguar tejet e suksesshme për zbulimin e kancerit”- u shpreh nënkryetarja e Shoqatës “Zhivotna Iskra”, Teuta Shrela Cickova.
Sipas disa studimeve shkencore, gjidhënia mund të ketë rol mbrojtës për gruan, ndërsa faktorë rreziku për paraqitjen e kancerit të gjirit janë konsumimi i alkoolit, obesiteti dhe mungesa e aktiviteteve fizike.
FLUTURA LATIFI
