Maqedoni

Rasti “Zhvatja”, në mungesë të avokatëve, anulohet seanca

20.01.2020 11:32

Është anuluar gjykimi për rastin “Zhvatja”, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Katica Janevës....

Të dy avokatët deri te gjykata kanë dorëzuar vërtetim mjekësor që janë të sëmurë. Në Gjykatën Penale për rastin Zhvatja, në cilësinë e dëshmitarit, në bankën e gjykatës, duhej që sot të dëshmojë ish prokurorja speciale, Lile Stefanova, e cila e udhëheq hetimin për rastin “Perandoria” Rasti ende ndodhet në procedurë dëshmuese, ndërsa udhëhiqet nga Vaska Nikollovska-Masevska.
 
Në cilësinë e dëshmitarit për rastin Zhvatja, dëshmi paraprakisht kanë dhënë edhe zëvendësja e ish-prokurores publike speciale, Elizabeta Josifovska. Deri më tani dëshmi dhanë edhe biznesmeni Orce Kamçev, bashkëshortja e tij, Ana Kamçeva, kontabilistja në kompanitë private “Kamçevi”, gazetari Kristian Banevski nga televizioni 1TV, si dhe të tjerë. Prokuroria Themelore Publike për Përndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në tetor të këtij viti shtroi akt-akuzë kundër Bojan Jovanovskit, Katica Janevës dhe Zoran Milevskit. 
 
I akuzuari i parë dyshohet se ka kryer vepër penale “larje parash dhe të ardhura të tjera si vepër penale”, ndërsa Janeva dhe Milevski për “pranimin e shpërblimit për ndikim të jashtë-ligjshëm”. E akuzuara e dytë, Janeva, ngarkohet edhe për vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”. Në seancën e parë për lëndën “Zhvatja”, i akuzuari i tretë, Zoran Milevski-Kiçeec, e pranoi fajin, me ç’rast u dënua me tre vjet heqje lirie.