Maqedoni
Qeveria teknike, Petrovska: Nuk do të lejojë struktura paralele në MPB
20.01.2020 16:19
Zëvendësministrja plotësuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska...

Zëvendësministrja plotësuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sllavjanka Petrovska, ka porositur se nuk do të tolerojë struktura paralele në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se duhet të kuptojnë të gjithë se ka përfunduar koha kur MPB është shndërruar në shtab partiak i partive politike.
Ajo rikujtoi se qeveria teknike e zgjedhur më tre janar i ka dy detyra kryesore: zbatimin e planeve dhe aktiviteteve në kuadër të reformave për integrimet euroatlantike dhe krijimin e kushteve për organizimin e zgjedhje fer dhe demokratike, dhe jo për vendosjen e strukturave paralele në këtë institucion.
“Koha e krijimit të shtabeve partiake në këtë ministri ka përfunduar, po ashtu ka përfunduar koha kur janë rrahur, maltretimuar qytetarë e gazetarë. Në interes të qytetarëve, jam e gatshme për bashkëpunim, por po ashtu jam e gatshme që t’i kundërvihem të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të vendosin struktura paralele në këtë ministri. Zgjedhjet e ardhshme janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendit tonë, të cilëve duhet t’ju sigurohet pjesëmarrje e qetë në zgjedhje. Raporti me ministrin Çulev është korrekt, sa i përket padis, ajo mbetet, dhe sapo të jetë gati, do të dorëzohet. Rreth strukturave paralele në ministri nuk ka indikacione të tilla se janë krijuar të njëjtat, por ishte vetëm si paralajmërim.”,- deklaroi zëvendësministrja e MPB-së, Sllavjanka Petrovska.
I menjëhershëm ka qenë reagimi nga VMRO-DPMNE–ja, të cilët kanë akuzuar udhëheqjen e deritanishme të MPB-së për dhjetëra krimet dhe vrasjet e kryera, ku askush nuk ka marrë përgjegjësi.
Siç potencojnë nga VMRO-DPMNE-ja, gjatë kohës së Oliver Spasovskit, krimi i organizuar dhe mafia e nëntokës kanë pasur mbështetje të fuqishme nga LSDM dhe ministri Spasovski.
Por, kjo praktikë ka përfunduar me emërimin e Naqe Çulev nga VMRO-DPMNE-ja në krye të MPB-së.
FITIM KRYEZIU
