Botë

Thaçi e dekretoi Kurtin për kryeministër, Kurti me video-mesazh fton LDK-në për marrëveshje

20.01.2020 16:42

President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. e ka dekretuar Albin Kurtin...

President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. e ka dekretuar Albin Kurtin si mandatar për kryeministër të Kosovës.
 
Mandatari për kryeministër të vendit, Albin Kurti, në video-mesazhin drejtuar qytetarëve, thekson se propozimin ka dashur ta dërgojë te presidenti pas një marrëveshjeje me LDK-në, por pasi marrëveshja ende nuk është arritur, njoftimin me shkrim te presidenti e për mandatarin e dërgoi pa marrëveshje.
 
Por, Kurti shprehu besimin se mund t’i kthehen tryezës së bisedimeve me LDK-në, edhe pse nuk shprehu gatishmëri të heq dorë nga kryeparlamentari, siç kërkon partia e Isa Mustafës.
 
“Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë. Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi e që vendit i duhet me aq urgjencë. E kemi filluar duke çliruar nga kapja udhëheqjen e Kuvendit, nuk është më aty pronto kryeparlamentari, që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri Glauk Konjufca. Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve. Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave.”,- tha mandatari për kryeministër, Albin Kurti.
 
Pas zhvillimeve të fundit, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thirrur për të martën zyrtarisht mbledhje të kryesisë partiake, ku do të diskutohet rreth mundësive për koalicion me Vetëvendosjen.
 
Pas dekretimit të mandatarit për qeverinë, Vetëvendosje dhe LDK i kanë në dispozicion 15 ditë për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të dakordohen për qeveri të pakicës, ose Kurti të njoftojë presidentin se nuk mund ta formojë qeverinë, pas çka si opsion mbetet përpjekja e dytë me mandatar të ri, ose shkuarja përsëri në zgjedhje.
 
GYLTENE SINANI