Rasti “Zhvatja” - në mungesë të avokatëve, anulohet seanca

20.01.2020 18:14

Gjykimi për rastin “Zhvatja” u anulua për shkak të mungesës së avokatëve.....

Gjykimi për rastin “Zhvatja” u anulua për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës të Katica Janevës, Delo Kadiev dhe Irena Fërçkovska, të cilët janë ankuar se kanë probleme shëndetësore.

Rasti ndodhet në procedurë dëshmuese dhe në seancën e sotme duhej të dëshmonte ish-prokurorja publike speciale, Lile Stefanova, e cila e udhëheq hetimin për rastin “Perandoria”. Ajo disa herë ka deklaruar se pa pajtueshmërinë e saj, Janeva ka sjellë vendim që t’ia kthejë pasaportën Kamçevit dhe t’ia zëvendësojë paraburgimin me arrest shtëpiak. Në incizimet të cilat i publikoi gazeta italiane “La Verita”, Kamçev dhe Jovanovski disa herë e përmendin Stefanovën, ndërsa Janeva i qetëson se e mban situatën nën kontroll dhe se Stefanova nuk mund të marrë asnjë vendim pa lejen e saj.

Në rastin “Zhvatja” i akuzuari i parë është Bojan Jovanovski, i cili  ngarkohet se ka kryer vepër penale “larje parash” dhe “pranim të shpërblimeve për ndikim të paligjshëm”, për të cilat, sipas Kodit Penal, parashihet dënim me burg prej 1 deri 10 vite. Katica Janeva ngarkohet edhe se ka kryer vepër penale “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”, për të cilën dënimi më i vogël është 3 vjet.

I akuzuari i tretë, Zoran Milevski, e pranoi fajin që në seancën e parë me ç’rast u dënua me tre vjet burg. Deri tani gjatë procesit kanë dëshmuar Orce dhe Ana Kamçeva të cilët në detale e kanë shpjeguar takimet me Boki 13, bisedat me Janevën dhe mënyrën se si u janë kërkuar 1.5 milion euro për të ndikuar në vendimet të cilat më pastaj i ka sjellë Janeva në favor të Kamçeveit.

Ata kanë pohuar se Boki 13 ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave dhe i ka paralajmëruar hapat e ardhshëm të PSP-së për të cilat ka pasur dijeni në detaje. Dëshmitë e tyre deri më tani i kanë dhënë prokurorja speciale, Elizabeta Josifovska, gazetari, Hristian Banevski, nga televizioni 1TV dhe ndihmësja në shtëpinë e Boki 13. Gjykimi për këtë rast pritet të vazhdojë më 23 janar 2020. (Gazmend Kurtishi, TVM2)