Trump: Fluturimet Kosovë-Serbi, një tjetër fitore

21.01.2020 11:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e quajti fitore marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes dy vendeve.

Në një postim në Twitter të hënën në mbrëmje, Presidenti Trump shkruante: “Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës.

Një tjetër fitore.” Në postimin e tij, Presidenti Trump falenderon Ambasadorin Robert O’Brien, këshilltar i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadorin e SHBA në Gjermani, Richard Grenell.

Diplomatët amerikanë ndërmjetësuan të hënën nënshkrimin e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua nga Milun Trivunac, sekretar shtetëror në ministrinë serbe të Ekonomisë dhe Eset Berisha drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës në ambasadën amerikane në Berlin.