Maqedoni

Bekteshi: Ligji për Burime Minerale do të pësojë ndryshime

21.01.2020 13:57

Në rast se rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve, do të ketë mundësi të ndërpritet leja për shfrytëzim...

Në rast se rrezikohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve, do të ketë mundësi të ndërpritet leja për shfrytëzim të koncesionit të lëndëve të para minerale. Kjo parashihet me propozim ndryshimet e reja në Ligjin për burime minerale, të cilin e prezantoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Këto ndryshime, sipas tij, bëhen për shkak të ankesave të shumta nga ana e qytetarëve në lidhje me sigurinë e qytetarëve në afërsi të vendbanimeve ku ka koncesione të lëndëve të para minerale.
 
“Koncesioni për shfrytëzim mund të ndërpritet për një shkelje të konsiderueshme të dispozitave të kontratës ose ligjeve dhe rregulloreve të zbatueshme për kontratën dhe në rast se shfrytëzimi dëmton interesin publik, sigurinë dhe shëndetin e popullatës. Në rast se kontrata ndërpritet kur shfrytëzimi dëmton interesin publik, sigurinë dhe shëndetin e popullatës, atëherë koncesioneri mund të bëjë kërkesë për marrjen e një koncesioni të ri për shfrytëzim në një vend tjetër edhe atë direkt për shfrytëzim pa realizimin e thirrjes publike.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Sipas ministrit Bekteshi, bazë për ndërprerje të njëanshme të marrëveshjes është edhe kur koncesioneri shfrytëzon më pak se 30% të sasisë së paraparë të lëndës së parë minerale në kuadër të projektit kryesor të minierave gjatë një viti. Bekteshi u bëri thirrje deputetëve që sa më parë t’i votojnë ndryshimet në këtë ligj, për shkak se i njëjti, sipas tij, është në interes të qytetarëve.
 
ERSAN PAJAZITI