Maqedoni
Osmani: Zgjedhjet e 21 prillit të jenë zgjedhjet më demokratike në histori
21.01.2020 16:06
Zgjedhjet e 21 prillit duhet të jenë zgjedhjet më të mira dhe më demokratike në histori....

Zgjedhjet e 21 prillit duhet të jenë zgjedhjet më të mira dhe më demokratike në histori, sepse do të ndikojnë dukshëm në procesin eurointegrues, tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, pas takimit me kreun e KShZ-së, Oliver Derkovskin. Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve, sipas Osmanit, janë raporti i jashtëzakonshëm i KE-së për RMV-në në muajin shkurt si dhe 26 marsi kur BE do të bisedojë për datën e negociatave për vendin. Osmani sërish potencoi edhe miratimin e Ligjit për Prokurori Publike, që do të ndikonte pozitivisht në fillimin e negociatave, prandaj pret nga partitë politike të ndjejnë përgjegjësinë dhe të miratojnë këtë ligj.
“Ajo çfarë do të bëjmë ne prej sot si qeveri teknike por edhe si institucione që kemi përgjegjësi për organizmin e procesit zgjedhor, do të ndikojë drejtpërdrejt në imazhin që do të krijojmë të gjitha vendet e BE-së, përfshirë edhe te ata që janë më hezituese ose ata të cilët ndonjëherë krijojnë ndonjë alibi të vogël për të penguar këtë proces. Unë kujtoj që partitë politike do e ndjejnë përgjegjësinë e momentit dhe t'i tejkalojnë dallimet dhe qëndrimet partiake, të takohemi diku në mes dhe ta miratojmë sa më shpejtë Ligjin për Prokurori Publike.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Derkovski: KShZ, e gatshme për zgjedhje demokratike
Nga KShZ shprehen të gatshëm të vihen tërësisht në shërbim të organizimit të zgjedhjeve fer dhe demokratike. Kryetari Derkovski njëherit thekson se lista zgjedhore është e azhurnuar dhe korrekte.
“Duhet të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces të marrin situatën me përgjegjësi para qytetarëve dhe shtetit, dhe këtë proces ta kalojmë në mënyrën më të mirë duke mos i dhënë argument alibi askujt që të thotë se zgjedhjet ishin të këtilla apo atilla.”,- u shpreh kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Në takimin mes Osmanit dhe Derkovskit është diskutuar edhe për mundësinë e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Seanca e fundit parlamentare kur mund të miratohen këto ndryshime është tre shkurti, prandaj zëvendëskryeministri Osmani tha se do të kërkojë nga institucionet dhe partitë që të merren më seriozisht me këtë çështje dhe të respektojnë afatin kohor.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
