Kuvend, migrimi përplasi pushtetin dhe opozitën
Pushteti dhe opozita nga foltorja e Kuvendit kanë shkëmbyer akuza dhe kundër-akuza....

Pushteti dhe opozita nga foltorja e Kuvendit kanë shkëmbyer akuza dhe kundër-akuza për çështjen e migrimit të qytetarëve të vendit drejt vendeve të BE-së. Deputetët e VMRO-DPMNE-së fajësuan pushtetin se me politikat e gabuara për 3 vite ka larguar mijëra qytetarë nga vendi.
“Më thoni një dhe një të vetme fabrikë që ka 500 të punësuar e që është hapur këto 3 vitet e fundit. Nuk ka, zero, asgjë! Zëvendësambasadori gjerman ju tha se vetëm në një vit janë dhënë 10 mijë leje për punë, ndërsa vitin e kaluar keni pasur numër rekord të personave që kanë migruar. Nga 20 mijë kaluat në 30 mijë, në 2019 akoma kemi vetëm të dhëna preliminare, flasim për 40 mijë persona të larguar veç më nga Maqedonia, eksod si asnjëherë më parë.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.
E nga pushteti u përgjigjën se ikja e të rinjve nga vendi është si pasojë e politikave të gabuara shumëvjeçare në të kaluarën, kur qeveria udhëhiqej nga VMRO-DPMNE.
“Ata që largohen sot, sipas jush, që janë 20 mijë apo 40 mijë qytetarë, vendimin këta nuk e kanë marrë dje apo pardje, pasi vendimi për të braktisur shtetin nuk merret aq shpejt. Këto vendime janë marrë në kohën e qeverisjes suaj me politikat tuaja të humbura, në vend se drejt qytetarëve, ju paratë i keni drejtuar drejt fasadave, rrotave panoramike e në përmendore.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Opozita ishte kritike edhe për mungesën e investimeve të huaja direkte, për çka e quajtën të paaftë pushtetin, ndërsa përmendën të dhënat që Maqedoninë e Veriut e nxjerrin pas Serbisë dhe Shqipërisë sa u përket investimeve të huaja. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
