Maqedoni
Sugarevski: VMRO me 1000 amendamente, bllokoi Ligjin për Legalizimin e Objekteve pa Leje
21.01.2020 17:09
Me rreth 1.000 amendamente të sjella në Kuvend nga VMRO-DPMNE....

Me rreth 1.000 amendamente të sjella në Kuvend nga VMRO-DPMNE, është bllokuar Ligji për Objektet e Ndërtuara pa Leje. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, thotë se me këtë po pengohet legalizimi i qindra objekteve.
“Para miratimit të Ligjit për Trajtimin e Objekteve të Ndërtuara në Mënyrë të Paligjshme, i njohur gjerësisht si Ligji për Legalizim, deputetët e VMRO-DPMNE-së paraqitën rreth 1.000 amendamente që bllokuan me qëllim miratimin e ligjit, me gjasa të vogla që ai të kalojë para shpërndarjes së Kuvendit. Kjo lë qindra mijëra qytetarë pa legalizuar objektet e ndërtuara pa leje.”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
VMRO-DPMNE: Për një ligj kaq sensitiv, nevojitet debat publik
Sugareski u bëri thirrje ligjvënësve që të tregojnë konstruktivitet dhe të miratojnë Ligjin për Trajtimin e Ndërtesave të Ndërtuara pa Leje, në interes të qytetarëve dhe shtetit. I menjëhershëm ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së. Nga kjo parti thonë se nuk janë kundër ligjit i cili është në procedurë parlamentare, por nuk pajtohen me faktin se ligji po sillet me procedurë të shkurtuar, pa debat publik.
“Të miratoni një ligj serioz shumë sensitiv për qytetarët në procedurë të shkurtuar dhe të mos lejoni një debat të gjerë publik, konsiderojmë se deklaratat e zotit Sugarevski janë të paqëndrueshme duke tentuar tërë fajin t’ia bart VMRO-DPMNE-së.”,- u shpreh kryetarja e Komisionit Parlamentar për Transport dhe Lidhje, Liljana Zaturoska.
Sipas projektligjit të përgatitur nga Qeveria, parashihet që për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje shërbimet komunale të paguhen 100% si dhe një gjobë në masën 50% nga shërbimet komunale.
SEDAT SELIMI
