Maqedoni

Trajnohet gjenerata e tretë e pilotëve të helikopterëve ushtarakë

01.10.2014 16:20

Në Qendrën për Trajnimin e Pilotëve në Petrovec, filluan trajnimet 18 mujore për 14 kadetët e gjeneratës së tretë të pilotëve për helikopterët “BELL-206”...

“Ne nga Qendra për Trajnimin e Pilotëve, në fillim i japim teoritë dhe praktikat e para të fluturimit me helikopter, por jo vetëm për t’i bërë pilotë të thjeshtë, por edhe ushtarakë të stërvitur dhe kjo arrihet vetëm me kualifikime speciale”- deklaroi drejtori i Qendrës së Pilotëve, Jari Shraga.
 
Përzgjedhjen e kandidatëve e ka bërë MPB-ja dhe Ministria e Mbrojtjes. Sipas ministrave, Jankullovska dhe Jolevski, konkursi ka qenë publik dhe transparent dhe ka pasur kritere të forta për kualifikim. 
 
“Në fillim të vitit kishte të interesuar 466 kandidatë dhe filloi testimi me kritere të definuara shumë më herët. Konkurrenca ka qenë e madhe. Këta do t’i shërbejnë me aftësitë e tyre nevojave të MPB-së”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
 
“Kadetët që shkollohen dhe që do të shkollohen në të ardhmen kanë kritere bashkëkohorë dhe  kompitabile me NATO-n, ndërsa dija që ofrohet është marrë nga Oksfordi dhe aviacioni i Izraelit. Këta kadetë do të pajisen me njohuri që do t’u shërbejnë të drejtojnë mjete fluturuese edhe luftarake, ku simulimet i bëjnë me avion  “M-17” dhe “M-24””- u shpreh ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.
 
Në Qendrën për Trajnimin e Pilotëve, përpos kadetëve nga vendi, ushtrime për momentin bëjnë edhe kadetët nga Mali i Zi, por kjo qendër  shfrytëzohet edhe nga vendet tjera të rajonit.
 
AFRIM TANALLARI