Maqedoni

Gjysmëvjetori i dytë me probleme të vjetra, distribuimi fillon, evidente mungesa e librave

21.01.2020 17:30

270 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në vend u kthyen në bankat shkollore për të vijuar gjysmëvjetorin....

270 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në vend u kthyen në bankat shkollore për të vijuar gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2019-2020. Edhe këtë gjysmëvjetor brengos fakti që nxënësit filluan mësimet me mungesë të librave. Ekipi i TVM2 vizitoi Shkollën e Mesme “Cvetan Dimov” dhe Sh. Fillore “Liria”, ku drejtuesit potencuan se distribuimi i librave ka filluar por ende ka mungesë të konsiderueshme të librave. 
 
“Mungesa e librave te paralelet ekonomike është minimale, por mungesë më të madhe kemi te paralelet e mjekësisë, jo se nuk kemi marrë libra, por nuk ka, është mungesë e botimit. Tash MASh është e obliguar që ta rishqyrtojë momentin dhe mundësinë që në të ardhmen të gjitha drejtimet të kenë shumicën e librave.”,- u shpreh drejtori i Sh. M. “Cvetan Dimov”, Visar Durak.
 
“Në shkollën tonë kemi mungesë të disa librave, t’i ceki për lëndët: në gjuhën shqipe, gjuhë angleze, në lëndën e historisë, mirëpo vetëm ka filluar distribuomi, sot kanë arritur në lëndën e gjuhës shqipe librat e parë.”,- u shpreh drejtoresha e Sh. F. “Liria”, Teuta Idrizi.
 
Nxënësit që anketuam thonë se në mungesë të librave mësojnë me skripta dhe sllajde, por kërkojnë që sa më parë të furnizohen me libra, pasi mungesa e librave ndikon edhe te suksesi.
 
“Ne me profesorë çdoherë bashkëpunojmë, marrin skripta ose nëpërmjet sllajdeve. E vështirë është për ne marrja e shënimeve, sepse po të kishim libra do të ishte më ndryshe.”,- theksoi një nxënës. 
 
“Teknologji farmaceutike nuk kemi, marrim shënime prej profesoreshës. Do të ishte më mirë të kemi libra, do të kishim sukses edhe më të madh.”,- u shpreh një nxënës.
 
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, ditë më parë ka deklaruar se me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë do të nis edhe shpërndarja e teksteve shkollore. Siç ka bërë të ditur ministri për librat, në arsimin fillor janë firmosur tri kontrata për 42 tekste shkollore. 
 
FLUTURA LATIFI