Botë

Kongresi amerikan, debat për procedurat e gjykimit të Trampit

22.01.2020 09:30

Senati i Kongresit të Shteteve të Bashkuara nisi të martën debatin për procedurat e gjykimit të presidentit Donald Trump.

Trump është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve - e cila udhëhiqet nga rivalët e tij demokratë - për shpërdorim të detyrës dhe pengim të drejtësisë. Akuzat kanë dalë nga dyshimet se Trump i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik. Senati tani do ta gjykojë presidentin dhe nëse e shpall fajtor - gjë që thuhet se ka pak gjasa, meqë ky institucion udhëhiqet nga Partia e tij Republikane - ai do të shkarkohej nga detyra.
 
"Avokatët e presidentit do të jenë më në fund në gjendje të paraqesin rastin e presidentit", tha udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell. Ai tha se procesi kundër Trumpit në Dhomën e Përfaqësuesve ka qenë "i padrejtë" dhe "i njëanshëm".
 
Në propozim-rezolutën për procedurat e gjykimit, McConnell tha se akuzuesit do të duhet t'i paraqesin argumentet e tyre në dy seanca maratonike, ndërsa të njëjtën kohë do ta ketë edhe ekipi ligjor i presidentit. Ai tha se do të bllokojë çdo përpjekje të demokratëve për votimin e thirrjeve të detyrueshme për dëshmitarë, në faza të hershme.
 
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha se rezoluta e McConnellit mbi rregullat e gjykimit "kërkon që Senati ta përfundojë procesin sa më shpejt që është e mundur dhe ta bëjë më të vështirë paraqitjen e provave". Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për rivalin e tij politik, Joe Biden. Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.