Maqedoni
Raporti: Mediat në Maqedoni të degraduara tërësisht
01.10.2014 16:43
Të ndalohen reklamat e paguara politike, radiot dhe televizionet të publikojnë burime individuale të reklamave...

Të ndalohen reklamat e paguara politike, radiot dhe televizionet të publikojnë burime individuale të reklamave, të publikojnë rregullisht të dhëna mbi pronësinë e mediumit dhe të ketë një monitorim të pavarur të financave të tyre.
Këto janë disa nga rekomandimet në raportin rajonal për media, të cilin për Maqedoni e ka përgatitur Instituti Maqedonas për Media.
Autorët e raportit, për Maqedoninë thonë se tek ne është paradoks fakti që modeli normativ garanton interesin publik në sistemin mediatik, por praktika e flet të kundërtën, sepse sot gazetaria është tërësisht e degraduar.
“Paradoksi qëndron në atë se si mundet të kemi aq ligje të mira, por aq praktikë të keqe. Paradoksale është që në periudhën kur ligjet tona ishin më restriktive, më pak të harmonizuara me ligjet e BE-së, kur në fillim qeveria i ndante koncesionet, lejet, ne kishim fushë më të lirë mediatike. Kështu u shprehën vetë gazetarët. Sa më shumë përmirësoheshin ligjet duke u bazuar në standardet evropiane edhe mediat edhe rregullatori bëheshin më të varur”- deklaroi autorja e hulumtimit, Snezhana Trpevska.
“Kjo situatë e hendekepon gazetarinë hulumtuese, me përjashtim të disa mediave kritike të cilat akoma jetojnë në këtë shtet. E devalvojnë statusin e gazetarisë si profesion, por edhe gazetarët si individë. E zvogëlon rolin e mediave për të siguruar platformë publike për debat të arsyeshëm politik”- tha autori i hulumtimit, Igor Micevski.
Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, është optimist se një ditë do të kthehet integriteti i mediave dhe kjo do të ndodhë në momentin që do të rikthehet demokracia në vend.
Për të arritur media të lira, duhet që dora e politikës dhe e interesit ekonomik të mos e kalojë vijën e kuqe, e cila prek integritetin e mediave dhe duhet të vendosen rregulla që nuk do të shkelen nga asnjë qeveri e ardhshme, thotë Selmani.
“Demokracia dhe lira e medias, lindin dhe vdesin bashkë. Nëse ne mendojmë se në këto kushte do të kemi media të lira, është iluzion. Deri sa në Maqedoni nuk kthehen vlerat elementare të demokracisë ne nuk mund të kemi media të lira, do të kemi media që do të jenë në shërbim të politikës dhe interesave ekonomike të pronarëve të mediave”- u shpreh Naser Selmani nga SHGM.
Hulumtimi flet se në Maqedoni, por edhe në rajon, shqetësuese është shfaqja e marrjes së ligjeve evropiane “copy- past”, të cilat në praktikë janë të pazbatueshme, qëllimet e politikës janë të kundërta me realitetin, rregullatorët janë nën presion politik, ndërsa legjislativa është e harmonizuar, por implementimi është i dobët.
SANIJE KASAMI
