Maqedoni
Shoqata e Importuesve të Makinave kundërshton Ligjin e ri për Tatimin e Makinave
22.01.2020 17:05
Kanë vazhduar protestat e importuesve të veturave në lidhje me Ligjin për Tatimin e Automjeteve Motorike....

Nga Shoqata e Importuesve thonë se ky ligj vetëm në muajin e parë e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 3.5 milion euro, ndërsa është java e katërt ku nuk ka import të veturave dhe doganim. Thonë se me tatimin e ri do të shtrenjtohen të gjitha automobilat dhe në vend të atyre ekologjike qytetarët do të vozitin automobila të vjetër. Kërkojnë ligji të tërhiqet urgjent dhe të kthehet zgjidhja e vjetër ligjore.
“Kush do të mbajë përgjegjësi nga sjellja e këtij ligjit, kush do të përgjigjet për 150 mijë firma të regjistruara për importimin e veturave? Kërkojmë ngrirjen e ligjit, kërkojmë që të jemi të kyçur në të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë me të njëjtin! Sot kërkojmë që qeveria e RMV-së të qëndrojë prapa kërkesave tona.”,- u shpreh një importues.
“Doganat janë shtrenjtuar për 30 mijë, 40 dhe 50 mijë denarë për një veturë. Personalisht dje kam doganuar veturë për të cilën më herët ka qenë 500 euro, ndërsa tani kam paguar 1350 euro. Njerëzit të cilët e kanë sjellë këtë ligj duhet së pari t’i pyesin importuesit se çfarë shitet dhe nuk mundet që ata ne të na imponojnë se çfarë të importojmë, ose përndryshe ne këtë biznes e mbyllim për dy vite. Kemi pasur takim me drejtorin e doganave, nuk ka sens për kërkesat tona.”,- theksoi një importues.
Drejtori i doganave, Gjoko Tanasoski, thotë se tani për tani ky ligj nuk ndryshohet, presin të kalojë një kohë dhe do të shohin se nëse duhet të intervenohet apo jo.
“Ne sigurisht se do të vazhdojmë t'i shqyrtojmë vërejtjet, të bëjmë analiza, por duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk ka asnjë muaj prej kur është miratuar rregullorja e re, duhet të shihet se a mundet, duhet apo nuk duhet të intervenohet, por për momentin mbetet në fuqi ky vendim.”,- tha drejtori i doganave, Gjoko Tanasoski.
Ndaj kësaj deklarate reaguan importuesit të cilët thanë se do të protestojnë derisa nuk anulohet ligji. Ata paralajmërojnë protesta masive dhe bllokimin e rrugëve, ndërsa pasojat do të mbesin në kurriz të bizneseve dhe qytetarëve.
GAZMEND KURTISHI
