Negociatat për Ligjin për PP-së, Deskoska optimiste: Mund të arrijmë marrëveshje

22.01.2020 17:39

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska...

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, është optimiste se palët mund të arrijnë të pajtojnë tekstin e projektligjit për Prokurori Publike në takimin e paralajmëruar deri në fund të javës. Qëndrimet e VMRO-DPMNE-së, që janë shpalosur në takimin e së martës, janë të pranueshme, gjithsesi pret t’i sheh në formë amendamentesh.   

“Ajo që dëgjoj si paralajmërime nga ana e VMRO DPMNE-së për vërejtje të caktuara nëse mbetet ashtu mund të arrijmë marrëveshje, por nuk mund të paragjykoj deri sa nuk i shohim me shkrim qëndrimet dhe vërejtjet e tyre. Pasi, shpesh, atë që thonë në deklarata dhe ajo që do të shkruajnë si amendament konkret dallon dhe shpesh në ato amendamente fshihen qëllime të fshehta.”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.

Milloshoski: Jo prokurorë specialë te Ruskoska

Deputeti i VMRO DPMNE-së Antonio Milloshovski, pjesë e grupit negociues është kundër transferimit të ish prokurorëve special në Prokurorinë Publike për ndjekjen e Krimit dhe korrupsionit të organizuar, të kryesuar nga Vilma Ruskoska.

“Shihet se në dispozitat kalimtar edhe përfundimtare të  këtij pr/ligjit ka një mekanizëm që duket se prejudikon strehimin e prokurorëve të deritanishëm të ekipit të Katica Janevës në prokurorinë e prokurores aktuale Villma Ruskoska.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Lokvenec: S’mund të kalojmë vijat e kuqe

LSDM i bën thirrje opozitës që të ketë parasysh vijat e kuqe, përkatësisht të përjashtohet mundësia që me këtë ligj, tërthorazi të amnistohen personat e përfshirë në megaskandalin me përgjimet e paligjshme si dhe të respektohet kërkesa e BE-së që ky ligj të miratohet nga kjo përbërje parlamentare.

“Jeni të vetëdijshëm se tejkalimi i vijave të kuqe që nënkuptojnë kontinuitet, konsistencë të punës dhe pavarësisë të të gjithë sistemit gjyqësor nuk guxojmë ta kalojmë. Jo për ne por për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve.”,- tha deputeti i LSDM-së, Hari Lokvenec.

Aktualisht në procedurë është versioni i dytë i projektligjit, i cili është bllokuar nga me amendamente nga VMRO-DPMNE, por palët negociojnë versionin e tretë ku është përfshirë situata e krijuar  me transferimin e çështjeve të PSP-së në Prokurorinë Publike për ndjekjen e Krimit dhe korrupsionit të organizuar.

Sipas propozimit,  Prokuroria Publike për ndjekjen e Krimit dhe korrupsionit të organizuar do të marrë kompetencat e PSP-së, ndërsa  prokurorët e PSP-së që kanë përfaqësuar çështjet do të vazhdojnë t'i udhëheqin ato.

Brenda 30 ditëve nga votimi i ligjit, do të zgjerohet numri i prokurorëve në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të organizuar, dhe do të shpallet një konkurs ku mund të aplikojnë  të  gjithë prokurorët të cilët i plotësojnë  kushtet.

Materialet e përgjimeve të paligjshme që nuk janë dorëzuar  si provë në gjykata do të mbahen në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe pasi të kalojnë tre vjet  nga plotfuqishmëria e përfundimit të procedurave, materialet do të shkatërrohen në përputhje me ligjin. (Shpëtim Nuredini, TVM2)