Maqedoni

Metodologjia e re e zgjerimit, BE raportin e publikon në fillim të shkurtit. Osmani: Franca ka disponim më pozitiv

22.01.2020 17:48

Në fillim të shkurtit, Bashkimi Europian pritet të publikojë raportin e tij në lidhje me metodologjinë e re të zgjerimit...

Mësohet se drafti ndodhet në zyrën e komisionerit për zgjerim. Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, përshëndet dinamikën e punës së KE-së për metodologjinë e re, njëkohësisht paralajmëron takim dhe me ministren për Europë të Francës, ku pret të informohet për punën e deritanishme të reformave në vend.
 
“Kishte paralajmërime se metodologjia do të publikohet më 29 janar, dje ka arritur informacion se mundet që edhe më 6 dhe 7 shkurt. Sigurisht që atje problemi qëndron në harmonizimin mes 27 vendeve anëtare për metodologjinë e re, por gjithsesi për ne dinamika me të cilën ecin punët është pozitive. Kam komunikuar me ministren për Europë të Francës dhe jemi dakorduar që të kemi takim në Paris, të më informojë për qëndrimin e Francës ndaj vendit tonë dhe si ata e kanë vlerësuar punën tonë për këtë periudhë. Mendoj që Franca ka qëndrim më ndryshe dhe këtë mund ta vëreni edhe në deklaratat e presidentit Makron se disponimi është më pozitiv dhe presin nga ne që të miratohet Ligji për Prokurorinë Publike.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Nëse miratohet metodologjia e re e zgjerimit të BE-së, shumë shpejt mund të hapen negociatat për anëtarësim mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Kështu thotë euro-deputeti francez, Stefan Sezhurne.
 
Sezhurne siguron se Franca nuk e konteston progresin që ka bërë Maqedonia e Veriut, por se është e patjetërsueshme që përpara se të zgjerohet me shtete të reja, BE-ja ta thjeshtësojë procedurën e negociatave.
 
“Nëse e rishikojmë metodologjinë tonë, nëse përparojmë në riorganizimin e tonë të brendshëm, gjithçka është e mundur. Negociatat mund të hapen shumë shpejt. Presidenti i Republikës vendosi ta shndërrojë Samitin e Zagrebit si majë e suksesit. Ne nuk e bllokojmë zgjerimin, vetëm dëshirojmë të jemi të përgatitur.”- theksoi eurodeputeti francez, Stefan Sezhurne.
 
Ambasadori francez në Austri, Fransoa Sen Pol, tha se vetoja e vitit të kaluar nuk e nënkuptonte “jo”-në, por se duhet pritur. Sipas Pol, së pari duhet të ndryshohet metodologjia e pastaj të vazhdojë zgjerimi.
 
Ndërkohë, ministri i jashtëm kroat, Gordan Gërlliq Radman, përsëriti se zgjerimi i BE-së është prioritet i lartë i vendit të tij gjatë presidencës me BE-në. 
 
GAZMEND REXHEPI