Botë

SHISH: Nuk kemi përgjuar askënd kundër ligjit

01.10.2014 16:58

Pas akuzave të qeverisë për përgjime të paligjshme të zyrtarëve të lartë në Shqipëri, vjen edhe reagimi i kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika...

Në reagimin e parë publik përballë lajmeve të bujshme të ditëve të fundit në media, se kjo Agjenci e Sigurisë Kombëtare ka përgjuar kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta, ambasadorë dhe deputetë, Visho Ajazi nuk përjashton mundësinë, ose lë të kuptohet se përgjimi i tyre mund të ketë ndodhur në mënyrë të ligjshme, duke nënvizuar se veprimtaria e SHISH është bërë në përputhje të plotë me ligjet dhe aktet normative.
 
“Janë tërësisht dezinformuese e denigruese informimet se qenkan përgjuar nga SHISH në mënyrë të paligjshme persona publik të profileve të ndryshëm apo ndonjë qytetar tjetër. Është shumë e qartë se ata persona që servirin këto lloj informacionesh në media dhe për fat të keq edhe botohen pa marrë asnjë masë verifikuese, kanë qëllimin e mbrapsht, ta denigrojnë këtë Agjenci të rëndësishme të Sigurisë Kombëtare, ta pengojnë dhe shkurajojnë në punën e saj aq të dobishme dhe të vështirë. Ne po punojmë me vetëmohim dhe jemi në krye të punëve tona për t’i shërbyer vendit në këto kohë të vështira për sigurinë kombëtare dhe asaj globale, e cila rrezikohet nga forcat e errëta të xhihadizmit ndërkombëtar, ku Shqipëria dhe SHISH në veçanti janë të angazhuara në vijën e parë të kësaj lufte”- deklaroi kreu i SHISH-it, Visho Ajazi Lika.
 
Prej muajsh, qeveria shqiptare ka hedhur akuza ndaj kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror për përgjime të paligjshme të zyrtarëve të lartë.
 
LULJETA NDOKA