Maqedoni

Naumovski: Do të angazhohem për heqjen e vizave me SHBA-të

01.10.2014 17:02

Ambasadori i ri në ShBA dhe negociatori për kontestin rreth emrit, Vasko Naumovski, prezantoi platformën e tij në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme...

Maqedonia, përveç vullnetit të mirë, nuk ka ndonjë strategji për përshpejtimin e zgjidhjes së kontestit rreth emrit.
 
Naumovski, tha se ka marrë udhëzime për kahjen e bisedimeve nga kreu shtetëror dhe se zgjidhja do të kërkohet kryesisht në kuadër të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit në marrëveshjen e përkohshme, si dhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.    
 
“Në harmoni me paralajmërimet, takimi i radhës mes përfaqësuesve të dy palëve do të duhet të mbahet deri në fund të vitit, ku ne do të vazhdojmë të ndërrojmë mendimet tona dhe idetë rreth dallime që kemi rreth emrit. Në këto bisedime, Maqedonia paraqitet me vullnet të theksuar për të tejkaluar këtë dallim që ekziston rreth emrit. Për fat të keq, përshtypja është se në anën tjetër për momentin ka një mungesë motivacioni për tejkalimin e këtij dallimi. Por edhe përskaj kësaj, ne do të vazhdojmë të bisedojmë me fqinjët tanë brenda kornizës ligjore që është vënë me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, marrëveshjen e përkohshme, si dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”- tha ambasadori i Maqedonisë në ShBA, Vasko Naumovski.
 
Naumovski, pret edhe mbështetjen e ShBA-ve në këtë proces. Sipas tij, Uashingtoni inkurajon vendet e Ballkanit Perëndimor që të mbyllin çështjet e hapura. Ndërkaq, si ambasador, Naumovski tha se do të angazhohet për heqjen e regjimit të vizave me ShBA-të.
 
Në seancën e komisionit, fjalim hyrës kishin edhe ambasadori, Aco Spasenoski, për kryerjen e detyrës si ambasador i Republikës së Maqedonisë në Ukrainë dhe ambasadori, Mile Manolev, për kryerjen e detyrës si ambasador i Republikës së Maqedonisë në Republikën arabe të Egjiptit.
 
SHPËTIM NUREDINI