Botë

Jerusalem, Forumi Botëror i Holokaustit

23.01.2020 12:44

Krerët e shteteve dhe qeverive nga dhjetëra vende mbërritën në Jerusalem për të shënuar 75 vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit të Aushvicit në Poloni....

Në mesin e pjesëmarrësve janë: Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence presidentët e Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë, presidenti rus Vladimir Putin, ai francez Emmanuel Macron, dhe Princi i Britanisë së Madhe Charles. Presidenti polak, Andrzej Duda, nuk pranoi të marrë pjesë, në shenjë pakënaqësie që nuk iu lejua të marrë fjalën.
 
Organizatorët izraelitë thanë se vetëm katër aleatët e Luftës së Dytë Botërore dhe Gjermania do të flasin në këtë ngjarje. Më shumë se 1 milionë njerëz, shumica e tyre hebrenj, u vranë në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau gjatë okupimit të Polonisë nga Gjermania naziste. Gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Holokaustit.
 
Në një pritje që organizoi në prag të tubimit, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që "të lënë historinë për historianët"."Shpresoj dhe lutem që udhëheqësit e botës do të qëndrojnë të bashkuar në luftën kundër racizmit, antisemitizmit dhe ekstremizmit, në mbrojtjen e demokracisë dhe vlerave demokratike. Kjo është sfida jonë. Kjo është zgjedhja jonë", tha ai. 
 
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi antisemitizmin në nivel global. "Këtë luftë kundër antisemitizmit, unë e udhëheq çdo ditë duke e trajtuar atë në fjalime, në sjellje, në internet", tha Macron.
 
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, përmendi në mënyrë të veçantë "plagën e antisemitizmit dhe urrejtjes, e cila edhe një herë po bëhet shumë e zakonshme".
 
Ngjarja shënon një nga tubimet më të mëdha politike në historinë e Izraelit. Më shumë se 10,000 oficerë policie u vendosën në Jerusalem, ndërsa autostradat kryesore dhe pjesë të mëdha të qytetit ishin mbyllur përpara fillimit të ceremonisë.