Botë

Kinë, 17 të vdekur nga virusi i ri

23.01.2020 13:15

Ka arritur në 17-të numri i të vdekurve nga virusi i ri që është paraqitur në Kinë...

Deri më tani, janë konfirmuar 550 raste të personave që janë infektuar me këtë virus, që është shpërndarë nga qyteti Vuhan në disa provinca tjera kineze, por edhe në ShBA, Tajlandë dhe Korenë Jugore. Kina e ka pranuar se virusi ka filluar të shpërndahet nga njeriu në njeri, pasi më parë mendohej ai mund të transmetohej vetëm nga kafshët te njeriu. Simptomat e këtij virusi janë probleme me frymëmarrje, koll dhe ethe.
 
Ndërkohë, në Gjenevë, një komitet i urgjencës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po diskuton rreziqet globale të paraqitura nga virusi, për të vendosur nëse ai duhet të shpallet një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik – siç është vepruar me gripin e derrit dhe sëmundjen e Ebolës. Qyteti kinez ku u paraqit për herë të parë një virus i ri, ka mbyllur përkohësisht transportin e tij publik. Rreth 11 milionë banorë të Vuhanit janë këshilluar të mos lëvizin nga qyteti, në kohën kur shumë banorë udhëtojnë për festën e Vitit të Ri kinez.
 
Autoritetet në shumë vende, përfshirë Australinë, Singaporin, Hong Kongun, Tajvanin, SHBA-në, Rusinë dhe Japoninë kanë rritur kontrollin e pasagjerëve që udhëtojnë nga qyteti kinez Vuhan.