Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, anulohet seanca, sërish mungojnë avokatët e Janevës
23.01.2020 14:42
Anulohet sërish seanca gjyqësore për rasti “Zhvatja”, pasi që avokatët e Katica Janevës janë ende të sëmurë...

E hëna është afati i fundit që avokatët e Katica Janevës të shërohen. Nëse jo, gjykata do të emërojë të tjerë. Gjykatësja, Vaska Nikollovska Masevski, e solli këtë vendim, sepse ajo nuk ka dokumentacion shëndetësor aq bindës se me të vërtetë avokatët janë aq keq sa të mos të mund të vijnë në seancë.
Në fund të seancës gjyqësore, i akuzuari i parë, Bojan Jovanovski-Boki 13, ripërsëriti se ai nuk mund të qëndronte më në paraburgim për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Në muajt e fundit kam qenë 55 herë te mjeku. Unë nuk jam një mi eksperimental. Ju lutem mos luani me jetën time, tha Jovanovski. Për injorimin e gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Jovanovski nga ana e gjykatës, u ankua edhe avokati i tij, Sasho Dukovski.
“Nëse ndodh diçka me Bojan Jovanovskin, e them publikisht se shumë persona do të përfshihen me kallëzime penale. Ky është keqtrajtim. Si gazetar, a keni pasur dikë që për gjashtë muaj është sjellë 55 herë në spital dhe me atë rast një muaj të hospitalizohet.”,- tha avokati, Sasho Dukoski.
Ndryshe, nga tre të akuzuar në këtë rast, vetëm Bojan Jovanovski është në paraburgim, ndërsa Janeva dhe Milevski janë në paraburgim shtëpiak.
SANIJE DURAKU
