Grenell: Nuk përfshihem në formimin e Qeverisë

23.01.2020 15:00

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikanm Donald Trump.....

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikanm Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka takuar mandatarin për formimin e qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin, dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.

Pas këtyre takimeve, ai deklaroi se ShBA-të nuk ndërhyjnë në formimin e qeverisë, por janë të interesuar të shtyjnë përpara zhvillimin ekonomik në Kosovë.

“Ne në ShBA nuk jemi të interesuar në përfshirje në atë se si do të formohet qeveria dhe ajo se çfarë jemi të interesuar është zhvillimi ekonomik. E ndava vizionin tim për arritjen e shpejtë të qëllimit, kur do e heqim taksën dhe Serbia të ndalë fushatën për mosnjohjen e Kosovës. Mendoj se këto të dyja janë hapat e ardhshëm. I shkëmbyem disa ide ekonomike se si të ecim përpara dhe të krijojmë më shumë energji  dhe entuziazëm për vende të punës.”,- tha i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Grenell.

Derisa Grenell dëshiron të rrijë anash sa i përket formimit të qeverisë së re, ambasadorët e shteteve të QUINT-it, përfshirë ambasadorin amerikan dhe atë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, kanë insistuar që sa më shpejtë Kosova të krijojë qeverinë e re. Për këtë qëllim kanë realizuar edhe takime me përfaqësuesit e Vetëvendosjes dh LDK-së.

Ndërsa pas dekretimit të Kurtit si mandatar për formimin e qeverisë së re, dy partitë kanë mbetur në pritje të palës tjetër se kush do të bëjë hapin e parë për të tejkaluar dallimet që po e mbajnë peng arritjen e koalicionit, siç është çështja e kryeparlamentarit dhe çështja e presidentit të shtetit, pasi t’i skadojë mandati presidentit aktual, Hashim Thaçit. (Gyltene Sinani, TVM2)