Debat mbi tregun e punës, mospajtime mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve

23.01.2020 16:31

Ekziston një hendek i madh midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës....

Ekziston një hendek i madh midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, pasi vetëm 12 nga 100 studentët e regjistruar në fakultete do të gjejnë punë sipas aftësive profesionale.

Për tejkalimin e kësaj gjendje, është e nevojshme të bëhen ndryshime në sistemin arsimor, të bëhet mësim praktik, ku çdo i papunë të bëjë punën që njeh, jo vetëm të plotësojë një vend pune.

Duhet të balancohen interesat e punonjësve dhe punëdhënësve, si kusht për krijimin e vlerës së re të shtuar, u tha në debatin mbi tregun e punës.

“Është e nevojshme që të respektohen edhe punëtorët edhe punëdhënësit. Interesat e tyre shpeshherë janë të ndryshme, por është e domosdoshme të njëjtat të balancohen dhe të koordinohen. Ekziston mospërputhje në mes të ofertës dhe kërkesës për punë dhe kjo kërkon koordinim, sidomos në pjesën e arsimit, ndërsa punëdhënësit duhet të jenë partnerë dhe të investojnë.”,- tha profesori universitar, Jovan Pejkovski.

“Duhet të përmirësohen informacionet që do t’i marrin të rinjtë kur të vendosin çfarë do të studiojnë, të rrisin njohuritë përmes dy komponentëve, punës dhe praktikës, të zhvillohen edhe më tej shërbimet e Agjencisë për Punësim. Sistemi i arsimit dhe trajnimit deri më tani nuk ka prodhuar efektet e dëshiruara, sepse nuk krijon një forcë pune të gatshme për tregun e punës.”,- tha kryetarja e “Maqedonia 2025”, Nikica Mojsovka Blazhevski.

“Rreth 80 për qind e numrit të përgjithshëm të vendeve të punës që kërkohen në vit janë vende të lira, këto vende të zbrazura nuk janë rezultat i rritjes dhe zhvillimit, por kjo vjen si rezultat i mosbesimit në mes të punëkërkuesve dhe punëdhënësve. Është e nevojshme të precizohet çfarë do të punojë një i papunë, me marrëveshje të qartë dhe kontratë të nënshkruar.”,- tha kryetari i Shoqatës Ekonomike “Kreacia”, Risto Ivanov.

Problematikë për tregun e punës janë pagat e ulëta, të cilat, sipas  Ivanovit, nuk janë rezultat i aftësive të ulëta, por i produktivitetit të ulët, sepse të punësuarit e humbin vullnetin shkak i pagave minimale. Këto janë disa nga mesazhet e pjesëmarrësve në Sesionit e Parë të Ciklit të Dytë të Grupit të Punës, me temë "Performanca e tregut të punës": midis pritjeve të punëdhënësve dhe punëkërkuesve. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)