Xhaferi: Më 11 shkurt Kuvendi do të miratojë protokollin, më 12 shkurt shpërbëhet Parlamenti
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi....

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, planifikon që seancën për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO ta caktojë për më 11 shkurt. Pritshmëritë janë që deri më 11 shkurt protokolli të miratohet nga ana e Kuvendit spanjoll, e fundit nga gjithsej 29 vendet anëtare të NATO-s, e cila akoma nuk e ka ratifikuar të njëjtën. Nëse deri atëherë procedura në Spanjë nuk mund të përfundojë, ratifikimi i protokollit në Kuvendin e Maqedonisë do të miratohet me veprim të anuluar.
Seanca e fundit e Kuvendit do të mbahet më 12 shkurt.
“Planet e mia sipas ingerencave janë që më datën 11 shkurt të thirri seancë me një pikë të vetëm të rendit të ditës, që do të jetë propozim ligj për ratifikim të protokollit për anëtarësim në NATO, që do të duhet ta sjellim gjatë këtij formati, me klauzolë deri në ratifikimin e të së njëjtës nga të gjitha vendet e NATO-s.”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Prandaj tani jemi në pritje që Qeveria spanjolle t’i rekomandojë Parlamentit spanjoll që ta ratifikon protokollin për anëtarësim, me çka e njëjta duhet ta sjellë këtë vendim me procedurë të përshpejtuar. E gjithë kjo procedurë, sipas ministres së mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pritet të përfundojë deri në fund të muajit mars, ndërsa vendi do të jetë anëtare e NATO-s para mbajtjes së zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
“Një obligim është ratifikimi ynë në Kuvend dhe obligimi tjetër është ratifikimi i së njëjtës në Parlamentin spanjoll, ndërsa zgjedhjet janë e treta dhe më pak e rëndësishme. Por jam shumë e sigurt se zgjedhjet do t’i realizojmë si anëtare e 30 e NATO-s dhe pas 30 viteve rrotullim në vend, pas 30 viteve premtime, do ta kemi mundësinë historike që këtë ta bëjmë realitet.”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, thotë se më 12 shkurt seanca do të jetë me një pikë të rendit të ditës, për shpërbërjen e Parlamentit, për të cilën konsideron se e njëjta do të përfundojë në të njëjtën ditë, marrë parasysh se të gjitha subjektet politike janë të pajtimit për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të 12 prillit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
