VMRO-DPMNE kundër pr/Ligjit për Prokurori, Mickovski: Pr/Ligji antikushtetues, në favor të pushtetit
VMRO-DPMNE konsideron se teksti i propozim ligjit për Prokurori Publike....

VMRO-DPMNE konsideron se teksti i propozim ligjit për Prokurori Publike është antikushtetues dhe në kundërshtim më Kodin Penal, madje edhe në kundërshtim me vlerat evropiane, prandaj nuk do të bisedojë për të nëse nuk pranohen kërkesat e saj. Kundërshton procedimin e rasteve të Prokurorisë Speciale në Prokurorinë Publike dhe transferimin e prokurorëve specialë në këtë prokurori. Konteston edhe mënyrën për zgjedhjen e kryeprokurorit. Akuzoi pushtetin se me këtë propozim ligj tenton të amnistojë krimet e kësaj qeverie.
“Regjimi hibrid i Zaevit shtyn ligj për prokurori për amnisti të krimit dhe padrejtësive. Kjo për ne është e pa pranueshme dhe e dëmshme për shtetin. Është i qartë veprimi i propozuesit që të bëj të ligjshme veprimet e paligjshme të prokurorit republikan i cili jashtë ligjit por faktikisht i futi këto procedura në kuadër të Prokurorisë Publike. Me këtë ligj praktikisht bëhet i ligjshëm transferi i proceseve nga Prokuroria Speciale në Prokurorinë e rregullt Publike.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Zaev: Mickovski merr udhëzime nga Gruevski
Pretendimet e kreut të VMRO DPMNE-së i hodhi poshtë kreu i LSDM-së Zoran Zaev.
Sipas tij projekt/ligji është hartuar në bashkëpunim me BE-në dhe ShBA-të dhe nuk mund të jetë në dëm të proceseve eurointegruese. Akuzoi Mickovskin se vazhdon të merr udhëzime nga ish kryeministri në azil, Nikolla Gruevski.
“Ajo që u tha në konferencë për shtyp se, dikush përpiqet të amnistojë raste, të fsheh krime të pushtetit aktual, bie poshtë meqë pas ligjit qëndrojnë, përkatësisht është hartuar në konsultime më BE-në dhe ShBA-të. Unë e kam të qartë pse u mbajt një konferencë e tillë, pasi instruksionet vijnë nga Budapesti dhe asgjë më shumë. Çështja e tretë është se, Ligji është hartuar ashtu që politikanët të mos mund të “kurdisin” prokurorë por të jetë zgjidhje sistemore, larg duarve të politikanëve në funksion të përforcimit të pavarësisë dhe reformave në gjyqësi.”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev ftoi opozitën që të rishqyrtojë qëndrimin dhe të vihet në funksion të interesave shtetërore, pavarësisë së gjyqësisë dhe luftës së krimit dhe korrupsionit.
Edhe komisioneri për zgjerim i BE, gjatë vizitës në Shkup, kërkoi miratimin e pr/Ligjit për Prokurori Publike nga kjo përbërje parlamentare, në favor të marrjes së datës për fillimin e negociatave. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
