Maqedoni
Sadiku, padit Isenin për keqpërdorim të detyrës, Iseni me kundërpadi
01.10.2014 17:26
Komuna e Studeniçanit ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Publike kundër ish-kryetarit të komunës, Fati Isenit, të cilin e akuzojnë për keqpërdorim të detyrës zyrtare...

Ai dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Studeniçanit, gjatë pranim-dorëzimit të postit nuk ka paraqitur si pronë të komunës një ekskavator makinë ndërtimi të tipit “KATERPILAR”, që është fituar si donacion më 21 janar të vitit 2006 nga ndërmarrja “Mega Star”, me seli në Shkup, ku si pranues i donacionit paraqitet Komuna e Studeniçanit.
Ekskavatori nuk shfrytëzohet nga Komuna e Studeniçanit, madje nuk dihet as ku ndodhet, thuhet në kallëzimin penal.
Po ashtu, Isenit i kërkohet edhe vendndodhja aktuale e një kamioni, të cilin, sipas kallëzimit penal, ish-kryetari, Fati Iseni, së bashku me ish-drejtorin e Ndërmarrjes Komunale Publike, Muhamed Ramadani, e kanë blerë nga Italia, por pas pagesës doganore prej 103 mijë e 436 denarëve, në vend që ta regjistrojnë para organeve kompetente si pronë e NKP-së, ia kanë dorëzuar në posedim një personi të tretë, i cili më pas me kontratë fiktive ia ka dhënë në shërbim NKP-së për një tarifë mujore prej 300 eurosh.
Për këtë kontratë fiktive, Komuna e Studeniçanit ka ngritur muaj më parë një tjetër padi penale. Por, ish-kreu i Studeniçanit, Fati Iseni, thotë se akuzat nuk kanë asnjë bazë.
“Rikonfirmoj se ai nuk posedon asnjë mini-argument se është bërë nga ana e ish-udhëheqësisë komunale ose ish-udhëheqësisë së Ndërmarrjes Komunale. Unë edhe një herë e rikonfirmoj, meqë kam ngritur padi për shpifje për të njëjtën gjë para dy-tre muajsh, tani ai vazhdon me të njëjtat akuza ndaj meje. Konkretisht, ai këto ditë ka publikuar të dhënat e mia personale, që sanksionohet me ligj. Sot, unë do të ngre edhe një padi për publikimin e këtyre të dhënave personale që ai i ka publikuar si kryetar komune”- deklaroi ish-kryetari i Komunës së Studeniçanit, Fati Iseni.
Iseni, thotë se kreu aktual i Studeniçanit merret me akuza kundër tij pasi nuk ka arritur të realizojë asnjë premtim të dhënë gjatë fushatës zgjedhore, apo nuk ka fituar asnjë projekt për të përmirësuar jetën e banorëve në Studeniçan.
MEMEDALI JUSUFI
