Funksionimi i Këshillit për Mbikëqyrje Qytetare, një vit nga formimi i “ngrirë”, mungojnë fondet

23.01.2020 18:53

Këshilli për Mbikëqyrje Qytetare si trup parlamentar për mbikëqyrjen e komunikimeve....

Këshilli për Mbikëqyrje Qytetare si trup parlamentar për mbikëqyrjen e komunikimeve, një vit pas formimit, nuk ka nisur punën si pasojë e pengesave administrative.

Si problem kryesor i nënvizuar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi, është paragrafi 2 i nenit 53 të Ligjit për Ndjekjen e Komunikimeve, i cili thotë: mjetet financiare për punën e këshillit sigurohen nga buxheti i Kuvendit.

Por, sipas Xhaferit, me këtë nuk parashikohet metodologji për shpenzimin e financave.

Nikollovska: Votojmë ligje që nuk gjejnë zbatim

Interpretimi i tillë është i papranueshëm për kryetaren e Këshillit, Margarita Caca Nikollovska.

“Sërish vijmë në një situatë të sjellim ligje, ndërkaq zbatimi nuk është askund. Dhe sërish do të vijmë në një situatë kur do të duhet të vlerësohet përmbushja e kushteve për hyrje në BE dhe do të na kontestohet se ligjet nuk zbatohen në praktikë.”,- tha kryetarja e Këshillit për Mbikëqyrje Qytetare, Margarita Caca Nikollovska.

Kiracovski: Bllokimi drejt përgjimeve të jashtëligjshme

Deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, ka dorëzuar kërkesë për interpretim autentik në nenit, për t’u vërtetuar qartë mënyra se si këshilli do t’i shfrytëzojë fondet e ngrira në llogari të kuvendit.

Sipas Kiracovskit, me rëndësi është që puna e këshillit të nis pasi me shpërbërjen e kuvendit do të jetë i vetmi organ që do të mbikëqyrë komunikimet dhe keqpërdorimet eventuale nga përgjimet.

“Është e palejueshme që një organ kaq i rëndësishëm, i cili ka për qëllim të ndalojë që dikush jashtëligjshëm të përgjohet, të lihet pa mjetet e nevojshme të punës, me çka edhe më tej lihet hapësirë për veprime të kundërligjshme të ndjekjes së komunikimeve. Apeloj të gjithë kolegët e mi deputetë, sidomos opozitën dhe kryeparlamentarin që sa më shpejtë deri në shpërbërjen e kuvendit të votojmë interpretimin autentik të nenit kontestues të ligjit me çka do të mundësojmë funksionimin e këshillit.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.

Xhaferi: Nuk do të nënshkruaj transferimin e financave

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se Kiracovski nuk ka kompetenca institucionale që të kërkojë interpretim autentik të ligjit të komunikimeve.  Xhaferi kategorik se ai s’do bëj transferin e mjeteve të cilat nuk bazohen në ligj.

“Përderisa unë jam përfaqësues i këtij institucioni, nuk do të nënshkruaj akt për shpenzimin e mjeteve financiare të cilat nuk bazohen në ligj, pasi që me këtë do të shkelja ligjin dhe do të mbartja përgjegjësi për dëm financiar gjegjësisht për shpenzim të jashtëligjshëm të financave.”,- u shpreh kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Këshilli për Mbikëqyrje Qytetare është i përbërë nga kryetari dhe 6 anëtarë të zgjedhur nga kuvendi.

Detyrë parësore ka mbikëqyrjen e punës së Agjencisë Tekniko Operative dhe Agjencisë për Siguri Kombëtare të cilat ndjekin komunikimet. Këshilli u iniciua me kërkesë të ekspertëve të Pribesë pas keqpërdorimit masiv të përgjimeve nga ish pushteti. (Meral Ismaili, TVM2)