Dita e tretë e Forumit Ekonomik Botëror, ndër temat kryesore - Siguria ndërkombëtare
Në Forumin Ekonomik Botëror, një ndër temat kryesore të ditës së tretë ishte siguria ndërkombëtare....

Në Forumin Ekonomik Botëror, një ndër temat kryesore të ditës së tretë ishte siguria ndërkombëtare. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se Europa duhet të jetë më e zëshme dhe më e qartë sa i përket ndodhive në botë. Ka përmendur tensionet e fundit në Iran dhe se marrëveshja nukleare edhe pse nuk është perfekte, duhet të respektohet.
“Ne filluam vitin dhe ishim të frikësuar nga tensionet në Iran dhe Irak, duke parë se çfarë po ndodh në një pjesë të botës dhe si mos të eskalojë situata. Duhet të mbajmë marrëveshjen nukleare me Iranin edhe pse është jo perfekte. Europa duhet të flasë me një zë më të qartë dhe më të fortë.”,- tha kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Duke folur për ardhmërinë e NATO-s, u tha se blerja e sistemeve raketore ruse nga ana e Turqisë shihet si kërcënim. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg, deklaroi se zgjidhje duhet të gjendet në kuadër të NATO-s.
“Turqia është një aleate shumë e rëndësishme e NATO-s për shkak të shumë gjërave. Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të zgjidhur këtë problem në kuadër të NATO-s, është e domosdoshme të zgjidhen çështjet lidhur me furnizimin e sistemit S-400.”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg.
Ministri për punë të jashtme i Turqisë, Mevlut Cavushogllu, ka deklaruar se sistemet raketore ruse S-400 janë kompatibile me avionët luftarakë amerikanë f-35 dhe nuk paraqesin kërcënim për NATO-n.
“Ne do të propozojmë që të formohet një grup punues i cili do të udhëhiqet nga NATO dhe ekspertët le të bëjnë vlerësimin dhe të japin qëndrimin e tyre. Ne besojmë dhe ju sigurojmë që këto sisteme nuk do të integrohen në sistemin e NATO-s, ky është sistem mbrojtës dhe nuk shkakton asnjë rrezik as për NATOn as për aleatët e saj.”,- tha ministri për punë të jashtme i Turqisë, Mevlut Cavushogllu.
Ministri i punëve të jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, në kuadër të forumit, ka thënë se prej 70 vjetësh askush s’ka guxuar të sulmojë ndonjë vend të NATO-s, duke potencuar se kufijtë dhe territoret nuk janë në rrezik për sulm, por uniteti i shteteve të NATO-s është në rrezik.
Siç ka thënë diplomati sllovak: të bashkuar mund të bëhet ndryshimi, derisa ka thënë se të ndarë do të dështojnë. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
